Κυριακή 28 Οκτωβρίου 2007

E qara...


E qara...

Nga Ardi Stefa
Sot pasdite, teksa po rrija përpara semaforit ndërsa nga radioja e makinës dëgjohej “Dance me to the end of love” e Madeleine Peyroux dhe duke vështruar pa ndonjë kuptim dhe pa ndonjë arsye portokallinë e mrekullueshme të pragmuzgut, pashë një vajzë rreth të njëzetepesave përballë meje të ecë nxitimthi.
Nxitimthi e duke qarë...
E para, më duket krejtësisht dinjitoze që ndokush të qajë...
Ashtu siç mundet të qeshim gjithandej, ashtu edhe mundet që të qajmë edhe gjithandej...
Por nuk mundem dot të shoh femra duke qarë, nuk mundem, por arsyen nuk jam në gjendje që ta shpjegoj...
Thjesht disa gjëra i fantazoj dhe më duken të padiskutueshme...
Festën me pije dhe me të qeshura,...ekskursionin me grupin e preferuar muzikor,... dashurinë me pasion dhe vrull,... miqësinë me biseda rreth femrave..., e dhe femrën të më tërheqë, por të jetë edhe misterioze..., me buzëqeshjen misterioze dhe njëkohësisht kaq zbuluese...
Por le të kthehemi tek vajza që e lashë duke qarë...
A, ja ku është, ende atje është dhe po vazhdon të qajë...
Ndërsa unë me mendjen time të çuditshme fillova të krijoja historira...
Natyrisht e para gjë që më shkoi në mendje ishte se ajo po qante për ndonjë djalë..., thua se nuk mundet të kishte e të ndiente dhimbje se ndoshta kishte humbur vendin e punës apo ndonjëri nga të afërmit e saj kishte problem shëndeti...
Por atëhere mendja ime fantaziste çfarë historie do të krijonte?...
Dhe befasisht vetëkënaqësia, cinizmi, por edhe budallallëku im nxorrën kokën: A kishte qarë ndonjëherë për mua ndonjë femër? A kishte qarë ndonjëherë ndonjëra në ndonjë rrugë, semafor, qoftë edhe në ndonjë dhomë shtëpie?
Ndërmjet nesh... shpresoj se po..., sepse kam bindjen e patundur se jeta ka të drejtën të jetojë e mbijetojë vetëm nëpërmjet frymëmarrjeve dhe lotëve të të dashuruarve...
Por ndoshta u zgjata kaq shumë me përsiatje poetike. Ndoshta ajo vajzë e panjohur nuk qante për ndonjë djalë, as për ndonjë disfatë në dashuri, as për punën që mundet të kishte humbur se i kishte ardhur në majë të hundës, as se mos ndoshta ndonjëi afërm kishte probleme shëndetësore...
Ndoshta ajo vajzë e panjohur po qante për të njëjtën arsye që unë mallëngjehem shpesh, bile edhe qaj...
Ashtu si mallëngjehen e qajnë shpesh herë emigrantët... Se edhe ajo vajzë ndoshta në Athinën e madhe ishte emigrante...
Për ndjenjën e fort të mallit...
Të mallit për Qytetin tim... Për Qytetin që është protagonist shpesh herë në ëndrrat tona, nostalgjik dhe i munguar, i zvjerdhur dhe i shkretë, i gjallë, gjithsesi...
Dhe atëherë
Vetëm më gjej një hartë të atij Qyteti.
Në copëza letrash kam shkruar
Emra dyqanesh, rrugësh dhe të tjerash
Gjithmonë prezentë në të njëjtat rrugë
Po qe se mbyllim sytë që shikojnë...
Eja të karficojmë në hartë tabelëza
Meqë për ne ato asnjëherë nuk ndryshojnë
Këtu e vite me radhë, eja të karficojmë atë ç’ka mungon
Me dhembje, karfica dhe me dhembje
Me keqardhje, karfica dhe keqardhje...
Kështu dalngadalë eja tashmë të jetojmë
Të ngulur me karfica në një hartë brenda shtëpisëMe të vetmin Qytet, këtë tonën maketë...

Δεν υπάρχουν σχόλια: