Σάββατο 9 Φεβρουαρίου 2008

Piedestale pa heronj...

Piedestale pa heronj...
Ardi Stefa
Me Lëvizjen Studentore të Dhjetorit 1990 dhe të shkurtit 1991 janë bërë spekullime nga më monstruozet. Shumë vetë e quajtën veten Studentë të Dhjetorit, vetëm e vetëm se u qëlloi rasti të studionin në Universitet në atë periudhë, dhe në fshatrat ku shkonin mburreshin bashkëfshatarëve për trimëritë dhe rolin e tyre në atë Lëvizje; shumë të tjerë u emërtuan kështu vetëm e vetëm se morën në dorë nga një vërtetim si studentë pjesëmarrës në Grevën e Urisë të shkurtit 1991. Shumë të tjerë me vërtetimet e gënjeshtërta në dorë gjatë gjithë këtyre viteve kanë përfituar në gjithçka, në para, pushtet, pozicion social, biografi. Ndërkohë që studentët protagonistë, protagonistët e vërtetë të atyre ditëve, ose u tërhoqën në heshtje të neveritur nga gjithë ky spekullim, ose u larguan nga liderët politikë të këtyre viteve, nga ata që e shkruajtën hustorinë ashtu si deshën.
Gjatë gjithë këtyre 15 viteve, që nga dita e shpalljes së pluralizmit politik në dhjetor 1990 apo edhe e Grevës së Urisë të shkurtit 1991, janë shkruajtur me dhjetëra artikuj apo kujtime, ku secili ka thënë të “vërtetën” sipas tij, interesave të tij apo të atyre që i kishin porositur.
E vërteta është paksa më thellë, në ndërgjegjen e atyre 723 studentëve, të cilët rrezikuan seriozisht jetën e tyre duke hyrë në një konflikt të drejtpërdrejtë fizik me sistemin që po jepte shpirt, e vërteta qëndron në mbështetjen e mijëra studentëve të tjerë, të cilët nuk përfillën të ftohtin e Tiranës, urinë në mencat që u shpërndanin vetëm gjysmë racioni... E vërteta është në mbështetjen e popullit të kryeqytetit dhe të prindërve tanë nëpër rrethet e Shqipërisë, të cilët ishin pranë nesh në çdo moment. E vërteta është tek ata që na mbështetën për të “hequr qelbësirën” dhe tek ata që na quajtën “tradhtarët, bukëshkalë dhe vandalë” që u rrëzuam “babanë e tyre”. E vërteta qëndron tek përqafimi i punëtorëve të Tiranës që na sillnin cigare në Pallatin Studenti, apo edhe tek përqafimi i ushtarit, i cili në kodrat rreth Qytetit Studenti qëndronte me gishtin në këmbëz, në pritje të urdhërit për të shtirë mbi studentët, urdhër të cilin nuk do ta zbatonte kurrë.
Shkurti i vitit 1991 ishte pika kyçe në historinë e gjithë kombit shqiptar, ishte pika kulmore në formimin e një brezi me të vërtetë intelektual shqiptar; ishte pika ku dy epoka u ndanë, kur populli festonte rrëzimin e monumenteve të diktatorit nga qytetet e Shqipërisë dhe, nga ana tjetër nomenklatura kërcëllinte dhëmbët e tërbuar prej inatit që s’mundej të bënte dot gjë. Fundi kishte ardhur. Përpëlitjet nuk ishin gjë tjetër veçse grahmat e fundit të një sundimi gjakatar 46 vjeçar. Ora e së vërtetës për Shqipërinë kishte trokitur! Dhe ora nuk mundet të kthehej dot mbrapsht...
***
Në këto 15 vjet që nga ato ditë të zjarrta janë shkruar me dhjetëra artikuj, apo ditare të njerëzve të ndryshëm. Pjesa më e madhe e tyre kanë pasur një dozë të vërtete, por edhe spekullimet nuk kanë qenë të pakta. Shkrimin e parë për ditët e shkurtit 1991 dhe grevën e urisë i shkruajta në shtypin shqiptar të kohës, tek RD e më pas tek Dielli. Por më pas partiakë monopolizuan të vërtetën...
Vendimin për të mos shkruar më për këto ditë e mora i zhgënjyer, i neveritur e me dhimbje, në dhjetor të vitit 1991, kur në përvjetorin e parë të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit rolin kryesor ua kishin ngarkuar personave të tjerë, krejtësisht anonimë, të cilët hiqeshin dhe vazhduan për shumë vite të hiqeshin si protagonistë. E njëjta gjë ndodhi edhe në shkurt 1992, në përvjetorin e parë të grevës së Urisë. Kulmi arriti, kur studentë, të cilët kërkonin ndonjë vend pune në rrethet e tyre apo donin të qëndronin në Tiranë, të bënin karrierë në gazetari apo politikë, vinin e na kërkonin vërtetime si pjesëmarrës në Grevën e Urisë. Kur vërtetimet nuk i merrnin nga anëtarët e Komisionit Nismëtar të Grevës së Urisë, nuk thyheshin, gjenin vendin se ku t’i merrnin: Tek Partia...
***
Megjithatë, do të vijë dita kur heronjtë e vërtetë, protagonistët e vërtetë do të vihen atje ku e meritojnë. Në piedestalet, të cilat sot janë pa heronj ose me heronj të rremë... Ata që rrëzuan mitin e rremë të diktatorit komunist e të një regjimi gjakatar 46 vjeçar nuk janë anonimë. Janë ata që me vetmohimin dhe guximin e tyre bënë që pas 46 vjetësh Shqipëria të zhvillonte për herë të parë zgjedhjet e lira e demokratike të çliruar nga hija e rëndë e Enver Hoxhës dhe e PPSH. Studentëve grevistë u takon merita e madhe e shmangies së një lufte civile vëllavrasëse në Shqipëri, e cila në ato vite ishtemë e mundshme se kurrë. Kaosi, anarkia dhe nxitja e disa instikteve negative në popull nuk gjetën refleksion tek studentët, të cilët, në të kundërt, dëshmuan për një qytetari, solidaritet dhe kulturë të lartë demokratike...
Por çfarë ndodhi në ato ditë të Shkurtit 1991? Si dhe pse u zhvillua Greva e Urisë? Cilat qenë synimet e saj dhe nga kush u organizua? Cili ishte roli i PD-së në organizimin e kësaj greve dhe pse në PD vëreheshin dy qëndrime të kundërta në lidhje me grevën? Kush do të përfitonte dhe kush do të humbiste nga kjo Grevë? Cilët ishin ata që përfituan? A ishin me të vërtetë studentët “heronjtë vetëflijues” të demokracisë së brishtë shqiptare, siç u quajtën nga populli i Tiranës, apo ishin “bukëshkalët dhe vandalët” që bashkë me “forcat e errëta” cënonin stabilitetin e forcave politike dhe rrezikonin ta shpinin vendin në kaos? Përse pjesa më e madhee studentëve protagonistë të atyre ditëve u larguan nga “politika”? Përse edhe nga vetë demokratët u akuzuan studentët se hanin e pinin brenda në Grevë dhe se futeshin ushqimet e pijet alkoolike pa hesap? Përse ekzistonte një tendencë e tillë denigrimi dhe zhvlerësimi i grevës së urisë, synimeve e aspiratave të atyre mijëra studentëve që e përkrahën?...
Këtyre pyetjeve e shumë të tjerave, që do të dalin do të mundohem t’u hedh pakëz dritë, duke shfletuar kujtimet e mia personale për ato ditë...
***
Jeta jonë studentore e qytetar ato ditë të fundvitit 1990 e fillimvitit 1991 kishte marrë një tjetër kuptim. Ishte bërë më e gjallë, më e bukur, më e vrullshme. Ndryshimet politike e sociale që kishin ardhur prej nesh na kishin pjekur ndoshta përpara kohe. Edhe përgjegjësia që ndienim se mbanin mbi supet tona ishte më e madhe. Dhe duhet ta dëshmonim. Përpara prindërve, bashkëmoshatarëve, përpara të huajve që ato ditë të zjarrta vinin varg në Tiranë, përpara vetes...
Shumica e studentëve ishin anëtarë të partive politike opozitare të krijuara me shpalljen e pluralizmit. Entusiazmi i tyre u jepte jetë, por edhe vota e garanci jete partive.
Nga ana tjetër autoriteti i disa studentëve nuk mundej të vihej në dyshim dhe, ndoshta kjo ishte arsyeja që një pjesë e madhe e jona, që kishim pasur një rol jo të vogël në Dhjetorin e vitit 1990 filloi të shmangej nga drejtuesit e rinj të partive politike. Shpjegimet për këtë kanë qenë nga më të ndryshmet: mungesë e përvojës politike të studentëve, papjekuri (!?) rinore e politike, si edhe në atë që studentët e kishin përfunduar misionin e tyre historik dhe duhej që t’u riktheheshin mësimeve...
Vendi do të drejtohej nga të tjerë. Politika do të bëhej nga të tjerë që erdhën si erdhën në protestat e studentëve...
E gjithë kjo situatë krijoi një farë pakënaqësie tek studentët, të cilët (nuk dua të mohoj shpirtin aventurier të disave prej tyre) e ndien veten të tradhtuar. Drita s’kishin përsëri. As ujë. Ushqimi ishte për ibret. Dhe më kryesorja? Në universitet, kryesisht në fakultetin Filologjik, atë ekonomik e të juridik ishin të njëjtët pedagogë arrogantë, të cilët leksionet i jepnin sikur s’kishte ndodhur gjë. Glorifikonin rolin e PPSH dhe të E. Hoxhës. Një cinizëm i madh vërehej nëpër fakultete, ku vërtet mbizotëronin demokratët, por fuqinë reale e kishin komunistët dhe organizatat e partisë, portretet dhe bustet e diktatorit që qëndronin hijerëndë nëpër hyrje e shkallë, në çdo klasë...
Gjithsesi vrulli ynë nuk kishte rreshtur aspak. Reagimet e studentëve nëpër klasa e auditore sa herë që përmendej roli i Partisë dhe i E. Hoxhes, ishin kaq të ashpra sa edhe vetë pedagogët kishin filluar të kishin një farë frike dhe u shmangeshin me konflikteve e debateve me studentët. Fakulteti i filologjisë dhe ai i juridkut, pa u përjashtuakëtu edhe Artet, ishin në pararojë të kërkesave për ndryshime totale në tekstet mësimore dhe jo vetëm. Në një takim të organizuar ne fakultetin filologjik, u kërkua hapur heqja e emrit të diktatorit nga universiteti. Takimi u organizua nga Shinasi Rama, Tefalin Malshyti, dhe dy pedagogë të jashtëm të këtij fakulteti, ndërkohë që në presidium gjendesha edhe unë nga pozita e nënkryetarit të Forumit Rinor të PD-së për Universitetin. Takimi u zhvillua me një pjesëmarrje të gjerë studentësh e pedagogësh dhe zgjati për disa orë. Nga kërkesat kryesore të paraqitura atje, kërkesa, të cilat i drejtoheshin rektoratit, qeverisë dhe PD e forcave të tjera politike të atëhershme, ishte heqja e emrit të diktatorit nga Universiteti, si edhe heqja e të gjitha referimeve politike për PPSH dhe E. Hoxhën nga tekstet shkollore. Kërkesa për depolitizimin e universitetit u pranua unanimisht nga studentët e pedagogët pjesëmarrës. Kërkesa në formë peticoni u dërgua që atë ditë në ato që përmenda më sipër, por përgjigjia erdhi zyrtarisht vetëm nga PD: “Është ende shpejt që të kërkohet një gjë e tillë, pasi kushtet në të cilat kalon vendi ynë dhe vetë partia jonë janë të vështira. Por ne jemi me ju dhe kërkesat tuaja i konsiderojmë të drejta...” Ndërkohë nga qeveria e atëhershme përgjigjia erdhi nëpërmjet gazetës ZP, e cila indirekt sulmonte studentët si vegla të drejtuara nga PD, të cilët synonin denigrimin e figurës “së udhëheqësit legjendar dhe kërkonin luftë civile në Shqipëri”.
Pasojë e kësaj përgjigjeje krijimi i një shoqate studentore me emrin “Fan Noli” nga ana e Arben Likës, Tefalin Malshytit, Shenasi Ramës, B. Ukcamës e disa të tjerë. Shoqata bëri shumë takime me studentë të fakulteteve të tjera, në universitetin e Kamzës, në fakultetin e Mjekësisë, bile edhe në Shkodër, apo edhe në Elbasan. Kjo shoqatë me platformën e saj u përpoq që të bashkonte të gjithë studentët në një organizatë të vetme e të fuqishme, e cila t’u kundërvihej jo vetë qeverisë, por edheqëndrimit oportunist të partive politike të krijuara.
Në këtë kohë u krijua Shoqata Studentore Shqiptare. Kryetar i saj u zgjodh Bendi Gonxhe, nënkryetar u zgjodh Ardi Stefa, sekretar Ilir Dizdari. Në radhët e kësaj shoqate hynë të gjithë ata studentë të Arteve e filologjikut, të cilët kishin qenë protagonistët e dhjetorit 1990, por edhe dhjetëra studentë të fakulteteve të tjera. Kontaktet ndërmjet dy shoqatave ishin fillimisht të ngushta, por më pas, me kalimin e kohës dhe me afrimin e ngjarjeve të shkurtit 1991, ato do të distancoheshin nga njëra-tjetra, pavarësisht se programi i tyre do të ishte pothuajse i njëjtë.
Ndërkohë në Universitetin e Kamzës kishin filluar protestat e studentëve, të cilat u përkrahën edhe nga studentët në Qytetin Studenti, të cilët “gjetën shkas për të bojkotuar mësimet”, siç shkruante shtypi qeveritar i kohës. Por e vërteta ishte krejt tjetër. Shoqata Studentore Shqiptare, e cila kishte filluar organizimin e protestave shpresonte në një ripërtëritje të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit.
Filluan të organizohen mitingje të përditshme në Qytetin Studenti dhe folësit e përhershëm në to ishin: Blendi Gonxhe, Ridvan Peshkëpia, Ben Sula, Arjan Manahasa, Ilir Dizdari, Ardi Stefa, e shumë e shumë të tjerë.
Fakultetet e ndryshme dërgonin përfaqësues e folës të ndryshëm në mitingjet që po organizoheshin. Nga të gjithë ata që erdhën nga fakultetet e tjera folësi më elokuent ishte Bislim Ahmetaj, udhëheqës i studentëve të Kamzës. Edhe partitë politike dërgonin përfaqësuesit e tyre në këto mitingje.
Përse zhvilloheshin mitingjet? Është e thjeshtë! “Çështja e heqjes së emrit të diktatorit nga Universiteti nuk ishte më një aspiratë, por një çështje e shtruar për zgjidhje!”. Ky perifrazim i një fraze të Enverit përbënte moton e mitingjeve. Ironizimi i diktatorit, i jetës dhe i veprave të tij përbënin thelbin e fjalimeve. Bile Blendi Gonxhe kishte përgatitur edhe një kasetë me citae apo pjesë nga filmat ku flitej për udhëheqësin, të cilat shkaktonin valë të qeshurash tek studentët e mitingjeve. Bile përmendeshin edhe shumë pjesë librash apo poezish të shokëve të diktatorit, në të cilat flitej për të. Ervin Hatibi erdhi një ditë dhe solli magnetofonin e tij së bashku me dy bokse të mëdha, të cilat u lidhën me bokset e Pallatit të Kulturës të Qytetit Studenti dhe në shesh u dëgjuan këngët e Bitëllsave “Give peace a chance” apo këngë të tjera nga Queen dhe AC/DC. Ndërkohë toni i fjalimeve ishte egërsuar. Tashmë kërkohej hapur rrëzimi i monumenteve të diktatorit nga të gjitha sheshet e qyteteve të Shqipërisë.
Mitingjet vazhdonin të zhvilloheshin nga organizatorët me të njëjtin ritëm, por vrulli i tyre po binte. Shkaku? Studentët e ndienin veten të vetmuar e të tradhtuar nga forcat politike.
Si do të veprohej? Shoqata Studentore Shqiptare i bën thirrja shoqatës Fan Noli, që të bashkërendonin përpjekjet për mbajtjen gjallë të shpirtit të Lëvizjes Studentore Dhjetorit, por përgjigjia që erdhi nga ata ishte evazive. Do të merrnin pjesë në mitingje, por si manifestues të thjeshtë!...
Por një ngjarje, më saktë një vendim, bëri që grevat të merrnin një vrull të ri dhe të mos shuhej zjarri i tyre.
Më 22 janar 1991, presidenti Ramiz Alia nxorri dekretin famëkeq numër 7459 “Për respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve”, dekret i cili kishte si qëllim vetëm ruajtjen e figurës së udhëheqësit komunist Enver Hoxha, pasi askush nuk kishte ndërmend të rrëzonte bustet e De Radës, Ismail Qemalit, të vëllezërve Frashëri apo të zbriste Skëndërbeun nga kali!
Ndërkohë komisioni organizator i grevave më ngarkoi mua që të merresha me peticionin për heqjen e emrit të diktatorit. Vetëm ditën e parë peticioni u firmos nga më tepër se 300 studentë. Kishte edhe banorë të kryeqytetit që vinin në Qytetin Studenti për të marrë pjesë në mitingje dhe që donin të firmosnin, por ata nuk lejoheshin.
Ky dekret i Ramiz Alisë na erdhi si një dhuratë e rënë nga qielli, pasi mitingjet morën një karakter edhe më të theksuar antikomunist dhe antienverist. Nga ana tjetër, nxjerrja e këtij dekreti, na krijoi vështirësi edhe më të mëdha në organizimin e mitingjeve, pasi duhet të merrnin çdo ditë leje në polici për organizimin e tyre. Marrja e lejes ishte një tjetër histori, pasi në kërkesë duhet të përmendeshin me hollësi koha dhe vendi i zhvillimit, emrat e folësve si edhe parrullat që do të hidheshin. Në një nga ato ditë disa studentë, të cilët po ktheheshin në Qytetin Studenti u arrestuan dhe u mbajtën disa orë në rajonin e policisë numër 2, vetëm sekishin thërritur “Enver- Hitler”!
Frika e shuarjes së mitingeve po bëhej edhe më e madhe, pasi mitingjet ishin kthyer në një rutinë dhe kërkesave për heqjen e emrit të diktatorit dhe shfuqizimi i dekretit për ruajtjen e monumenteve apo depolitizimin e shkollës nuk po ua vinte më kush veshin. PD-ja, megjithëse dërgonte përfaqësues në mitingje, nuk po na përkrahte hapur, pasi kishte problemet e veta organizative e funksionale. Ramiz Alia, i cili ndërkohë kishte filluar të bindej se grevat e studentëve do të dështonin, dërgoi përgjigjen se nuk u takonte studentëve të vendosnin për emrin e universitetit të tyre, sepse ai ishte i gjithë popullit dhe se më vonë çështja mund të zgjidhej me një referendum popullor. Ndërkohë edhe disa anëtarë të komisionit organizator të demonstratave kishin filluar të ndienin pesimizëm dhe frkën e një dështimi. Atëherë në një mbledhje të zhvilluar në Pallatin Studenti u hodh ideja e zhvillimit të një greve urie në rast se kërkesat nuk pranoheshin në rrugë paqësore...
Në javën e dytë të shkurtit në qytetin Studenti erdhi Azem Hajdari dhe në një takim që patëm në mencën 3, na tha se kishte shumë mundësi që qeveria të vendoste mbylljen e përkohshme të Universitetit, në një përpjekje për të shuar protestat. Kjo gjë na irritoi dhe kërkuam nga PD që të ndikonte që të mos mbyllej universiteti. Këtë thirrje ua drejtuam të nesërmen nëpërmjet mikrofonave edhe qytetarëve të Tiranës dhe Sindikatave. Përpara një alternative të tillë, ku rrezikonte dështimi i lëvizjes Studentore edhe udhëheqësit e shoqatës Fan Noli, iu bashkuan manifestimeve. Në një miting foli si udhëheqës i Shoqatës “Fan Noli” edhe Shenasi Rama (Tefalin Malshyti ishte bashkuar me kohë me drejtuesit dhe organizatorët e mitingjeve).
Fjalimet e asaj dite kanë qenë nga më të zjarrtat, pasi kësaj here nuk kishte më konflikt nervash, por ishte shtruar hapur ideja e zhvillimit të një greve urie, gjë që do të thoshte se tashmë alternativa e vetme ishte ndeshja e hapur me qeverinë, konflikti fizik. Në këtë miting iudërgua ultimatumi të gjtha partive politike dhe qeverisë që të pozicionoheshin përfundimisht se çfarë qëndrimi do të mbanin në lidhje me kërkesat e studentëve. Kjo gjë bëri që protestat të merrnin një karakter shumë serioz dhe vendosëria e studentëve të arrinte kulmin. Ë mitingje vnin letra e telegrame përkrahëse nga i gjithë vendi, nga shkolla e ndërmarrje punëtore, nga grupe intelektualësh apo edhe fshatra, të cilat lexoheshin përpara studentëve. Ndërkohë shifra e studentëve që kishin firmosur në peticionin për heqjen e emrit të dikatorit nga universiteti kishte shkuar në 2.169 studentë, një shifër jo e vogël, kjo, po të merret parasysh se një pjesë e madhe e studentëve kishin “përfituar” nga bojkotimi i mësimeve për të shkuar pranë familjeve të tyre nëpër rrethe. Në mitingun e ditës së nesërme erdhën përfaqësues të të gjitha partive politike dhe organizatave “pluraliste”. Ismail Lleshi i PPSH u fishkëllye gjatë gjithë kohës dhe fjala i tij u ndërpre. Të njëjtin fat pati edhe fjalimi i ministrit të arsimit, Skënder Gjnushi. Rrapo Zguri, përfaqësuesi i Rinisë së Punës së Shqipërisë, megjithëse na kishte thënë se pajtohej me kërkesat tona, në miting tha se nuk mundej të na mbështeste. Qëndrimin më të çuditshëm për ne e mbajtën përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Azem Hajdari dhe Gramoz Pashko, të cilët pajtoheshin me kërkesat tona, por nuk mundeshin që të na mbështesnin. Azemi tha se pajtohej me kërkesat, por duke qenë kryetar i një partie opozitare, e cila kishte firmosur Paktin e Stabilitetit (shmangien e grevave dhe trazirave popullore deri në zgjedhjet e ardhshme) nuk mund t'u bashkangjitej publikisht atyre kërkesave më se të drejta të studentëve.
Ndërkohë në Tiranë kishte filluar të binte dëborë. Në takimin që u zhvillua pas mitingut në zyrën e Fatmir Mnerit në Pallatin Studenti, ne e akuzuam hapur si provokator Azem Hajdarin, i cili na këshilloi të mos përmendnim gjakun. Me Azemin dhe Pashkon u konfliktuan hapur Ndue Lugja, Blendi Gonxhja, Tefalin Malshyti, të cilët i akuzuan si oportunistë dhe vrasës të Lëvizjes Studentore, pasi këta nuk u pozicionuan në lidhje me mbylljen e Universitetit...
Greva e urisë tashmë ishte kristalizuar dhe shpallja e saj ishte çështje orësh. Në këtë mbledhje u vendos që t’i bëhej thirrje popullit të Tiranës që t’i merrte studentët nëpërshtëpirat e tyre. Bile, atë pasdite, i shoqëruar nga kryetari i sindikatave të Kombinatit të Drurit, shkova në një takim me punonjësit atje ku u paraqita kërkesën për çeljen e shtëpive të tyre për studentët, kërkesë e cila u prit me entusiazëm. Bile punonjësit e kombinatit përgatitën një peticion drejtuar qeverisë në mbrojtje të kërkesave të studentëve dhe një tjetër letër përkrahëse drejtuar studentëve grevistë.
Po atë natë, duke mos pasur asnjë rrugë tjetër për zgjidhjen paqësore të kërkesave tona, u krijua Komisioni organizator i Grevës së Urisë. Anëtarët e këtij Komisioni ishin: Arben Lika (i cili nuk u lejua të hynte në grevën e urisë, pasi sapo ishte operuar nga apandesiti), Blendi Gonxhe, Arjan Manahasa, Ardi Stefa, Mesila Doda, Ilir Dizdari, Ndue Lugja dhe Ridvan Peshkëpia.
Kërkesave të mëparshme tashmë iu shtuan edhe kërkesa të tjera me karakter më të theksuar politik, siç ishte lirimi i menjëhershëm i të burgosurve politikë dhe shmangia e një lufte civile, e cila po provokohej nga shteti nëpërmjet organizatave “Vullnetarët e Enverit”. Në një komunikatë të asaj dite drejtuar popullit shqiptar, komisioni i Grevës së Urisë deklaronte se studentët do të flijoheshin për një demokraci të vërtetë në Shqipëri, për një demokraci, e cila të ishte e çliruar ankthi i së kaluarës dhe, nëse debatit mbi figurën e Enver Hoxhës nuk i jepej një zgjidhje një orë e më parë.
Greva e urisë
Greva e Urisë, u shpall në 16 shkurt 1991 në njërin nga mitingjet e zakonshëm. I ngarkuar të merresha me peticionet për heqjen e emrit të diktatorit nga Universiteti, m’u ngarkua përsëri që të merresha me regjistrimin e emrave të studentëve, të cilët do të hynin në grevën e urisë. Nuk ishte përcaktuar një shifër e saktë e studentëve pjesëmarrës në këtë grevë, por synohej që numri të ishte sa më i madh dhe pjesëmarrësit të ishin nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, në mënyrë që të shmangej ndonjë konflikt i mundshëm i popullit. Në radhët e studentëve, të cilët regjistruan emrat për pjesëmarrjen e tyre në Grevën e Urisë kishte edhe bij e bija komunistësh, fëmijë intelektualësh të thjeshtë, punëtorësh, fshatarësh, apo edhe nga familje të deklasuara.
Në 17 shkurt nga të gjitha forcat politike shqiptare, të pozitës apo opozitës erdhën përpjekje për të shmangur këtë grevë, duke përdorur argumente boshe dhe kundërshtime kokëforta. Për tu shmangur greva e urisë u hodh argumenti i ndarjes së Universitetit Shtetëror të Tiranës në disa pjesë dhe emri logjikisht nuk do të ishte më i vlefshëm. Po ashtu erdhi edhe kërcënimi se shteti nuk e kishte më për gjë që në Tiranë të përsëritej Tienanmeni. Edhe PD-ja nuk po mbante ndonjë qëndrim më të mirë. Nga PD-ja, e cila kishte mjaft anëtarë në radhët studentore, venin e vinin emisarë të cilët përpiqeshin të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve me pretendimin se duhej ruajtur paqja sociale në vend dhe se duhej shkuar në zgjedhjet parlamentare me qetësi dhe duke ia lënë vetëm kutive të votimit në dorë gjykimin mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Një grup udhëheqësish të PD-së, Preç Zogaj, Azem Hajdari, Neritan Ceka, Arben Imami dhe Gramoz Pashko, të cilët kishin ardhur në Qytetin Studenti për të biseduar me komisionin e Grevës, duke biseduar në mes tyre shprehën mendimin se meqë Greva ishte e paligjshme, ata s'kishin çfarë t'u bënin më studentëve dhe le t'i parandalonte e t'i rrihte policia!
Në një mbledhje të thirrur nga Ramiz Alia përfaqësuesit e PD-së iu përgjigjën kërkesës së tij të dëshpëruar për nxjerrjen e studentëve nga greva, se nuk kishin më asnjë influencë dhe asnjë kontroll ndaj tyre!
Ndërkohë komisioni organizator i Grevës së Urisë po përpiqej që të garantonte zhvillimin normal të saj. U vendos që Greva të zhvillohej në Pallatin e Kulturës Studenti dhe për këtë arsye u kërkua nga drejtori i saj, Fatmir Mneri që të liheshin në dispozicion të Grevistëve të gjitha ambientet. U kërkua që të mos kishte ndërprerje të energjisë elektrike, ujit dhe telefonave, si edhe u garantua se nuk do të dëmtohej asnjë gjë nga materialet që ndodheshin në depot e pallatit. E vetmja kërkesë ishte që nga depot të zhdukeshin të gjitha bustet e Enverit, fotografitë e tij e të udhëheqësve të PPSH, si edhe të gjitha parrulat e banderolat! Kërkesat u pranuan!
Në 17 shkurt në pasdite, rreth orës 16.00 në derën e dhomës time në konvikt u dëgjuan disa të trokitura. E hapa dhe pas saj qëndronte kujdestari i konvktit së bashku me të plotfuqishmine Qytetit Studenti. Me mirësjellje më kërkuan që të kontaktoja me anëtarët e Komisionit të Grevës së Urisë dhe t’u thosha se duhet të takoheshim me përfaqësues të kryeministrisë në lidhje me kërkesat tona dhe zhvillimin e grevës. Iu përgjigja se nuk e dija se ku ndodheshin anëtarët e komisionit. (Ndërkohë ishte marrë vendimi unanim që të gjithë anëtarët e komisionit, të paktën konviktorët, të mos qëndronin atë natë në dhomat e tyre, për të shmangur mundësinë e ndonjë provokimi apo raprezaljeje nga policia apo segmente të igurimit të Shtetit. Edhe unë në pasdite do të shkoja tek shtëpia e një shokut tiranas tim për të kaluar natën.)
Kur panë se s’kisha ndër mend të lajmëroja anëtarët e komisionit, më thanë që të shkoja unë në kryeministri dhe ato ç’ka do të më thoshin t’ua komunikoja më vonë shokëve të komisionit. Shkova me makinën e të plotfuqishmit të Qytetit Studenti. Në kryeministri hymë nga dera anësore dhe në katin e parë hymë në zyrën e njëfarë Niko, (mbiemri nuk më kujtohet) me origjinë nga Vlora, këshilltar i lartë në kryeministri. (Më pas mësova se të njëjtin takim ai e kishte zhvilluar edhe me anëtarë të tjerë të Komisionit veç e veç). Biseda u zhvillua e qetë me të dhe ai më kërkoi që të bindja shokët për rrezikshmërinë e një ndërmarrjeje të tillë, e cila mundet të çonte në një konflikt të armatosur të popullit, në një luftë civile midis komunistëve, të cilët ishin shumica e popullit dhe të djathtëve që ishin pakica. Ai tha se me veprimin tonë ne vinim në rrezik ekzistencën e Partisë Demokratike, e cila ishte prapa të gjitha këtyre. Iu përgjigja qetë dhe me kujdes se ishte e vështirë që tani të ktheheshim mbrapa, për faktin e thjeshtë se ne ishim të bindur për drejtësinë e kërkesave tona dhe për aktin historik që na kishte rënë fati për të kryer. Më tha që gjithsesi të bisedoja me shokët e tjerë të Komisionit, të cilët ishin mbledhur në shtëpinë e Blendi Gonxhes në një mbrëmje! Ishte një fakt që e dija, por më bëri përshtypje që e dinte edhe ai. I thashë se nuk e dija shtëpinë e Blendit, por ai më dha makinën e të plotfuqishmit që të më çonte atje. Dhe vërtet, makina e policisë më çoi tek shtëpia e Blendi Gonxhes, ku po bëhej një mbrëmje. Në mbrëmje Gonxhja kishte të ftuar veç të dashurës së tij, edhe Ridvan Peshkëpinë me të fejuarën, Emin Barçin, Arben Likën, Tefalin Malshytin, dy-tre shokë të tij tiranas dhe çuditërisht gjendeshin edhe Blendi Fevziu dhe Ben Blushi, të cilët me shkrimet e tyre në RD kishin shkaktuar disa herë irritimin e studentëve grevistë. U thashë për sa më kishte ndodhur dhe për një çast nuk më pëlqeu qëndrimi i lehtë me të cilin po silleshin, thua se nuk po shkonin në “luftë” por në një ekskursion. Bile Blendi Gonxhja dhe Ben Blushi u shprehën se në rast se do të plotësoheshin qoftë edhe një pjesë e kërkesave mundet të mos hynim fare në grevë. Aty u zhvillua një debat, i cili u mbyt nga tingujt e muzikës. Rreth orës një të natës u largova nga shtëpia e Blendit së bashku me Arben Likën. Poshtë na priste makina e policisë, e cila na çoi në Qytetin Studenti.
Orët kishin filluar të ecnin mbrapsht...
18 shkurt 1991, dita e Grevës së Urisë...
18 shkurti u gdhi i ftohtë dhe me dëborën, e cila ende nuk kishte shkrirë rrugëve të Qytetit Studenti. Kishte njëfarë mpirjeje në atmosferë dhe në fytyrat e studentëve. Një pjesë e anëtarëve të Komisionit kishin ardhur herët në Qytetin Studenti dhe po merreshin me përgatitjet e fundit për zhvillimin e Grevës. Një pjesë e tyre po kontrollonin sasinë e sheqerit dhe të glukozës së vendosur në ambientet e posaçme të Pallatit të Kulturës dhe po diskutonin me disa mjekë dhe studentë të mjekësisë se çfarë do të ndodhte në rast të ndonjë komplikimi të mundshëm të shëndetit të studentëve. Të tjerët po merreshin me vendosjen e disa makinave të shkrimit dhe të një aparature të vjetëruar faksi tek zyra e Fatmir Mnerit, e cila ushte shndërruar në shtabin tonë. Ndërkohë studentët që do të hynin në Grevë kishin shkuar nëpër mencat dhe po “mbushnin për herë të fundit barkun me pilaf e fasule” siç thoshin me humor. Në hyrje të pallatit Studenti ishte varur një flamur kombëtar pa yllin pesëcepësh. Një pjesë e anëtarëve të komisionit ishin në një takim zyrtar me përfaqësues të qeverisë dhe të rektoratit duke bërë bisedimet e fundit. Frika e ndonjë kompromentimi të mundshëm ekzistonte, sidomos ndaj anëtarëve të komisionit që ishin nga Tirana. Në takimin e ndërmjetësuar nga Ben Blushi e Blendi Fevziu, kishte shkuar Blendi Gonxhja, Arben Lika e Ridvan Peshkëpia. Rreth orës 11.00 filloi hyrja e studentëve grevistë në Pallatin Studenti.
Çaste historike
723 studentë e studente, si edhe disa pedagogë hynë në grevën e urisë të vendosur për t’u flijuar deri në fund. Studentët përkuleshin përpara flamurit kombëtar dhe, pasi e puthnin hynin brenda, duke ua bërë me dorë shokëve apo të afërmve të tyre që kishin ardhur në Qytetin Studenti. Sallat e pallatit Studenti ishin zbukuruar me flamuj kombëtarë pa yllin komunist mbi shkabën dykrenare, gjë që dëshmonte se çfarëdo që të ndodhte, ne ishim ndarë njëherë e mirë nga simbolet komuniste. Pas disa çastesh me makinë në Qytetin Studenti erdhën B. Gonxhja, A. Lika dhe R. Peshkëpia, të cilët e kishin marrë vesh në takimin ku ndodheshin se greva kishte filluar.
Pas hyrjes së studentit të fundit dera u mbyll dhe gjithçka duket se kishte marrë trajtë tjetër. Lufta kishte filluar. 723 studentë gjendeshin brenda ndërkohë që me mijëra të tjerë dhe shumë banorë të Tiranës vinin përpara Pallatit Studenti për pelegrinazh, për të na parë e për të na admiruar. Në sytë e tyre plot krenari e lot shikohej vendosmëria jonë për çuarjen deri në fund të asaj që kishim nisur. Ndërmjet tyre dhe nesh ishte dera e kyçur, kordoni i policisë. Në mbrëmje, teksa studentët ishin “rehatuar” përdhe apo të mbështjellë me batanije, nëpër karrige apo edhe nëpër kompesata në Qytetin Studenti kishte rënë një heshtje varri. Si ne që ishim brenda, edhe studentët e mbetur nëpër konvikte prisnin me ankth mëngjesin e ditës së nesërme. Nëpër rrugicat e Qytetit Studenti patrullonin policë dhe ushtarë, por edhe shumë civilë. Ishte një natë e vështirë, nata kur të gjithë prisnin raprezaljen dhe dhunën e shtetit komunist në grahmat e fundit.
Pranë mesnatës, dhe ndërkohë që po merreshim me leximin e telegrameve përkrahëseerdhën dy ministra të qeverisë së atëhershme, Skënder Gjinushi dhe Ismail Ahmeti. Takimin me ta e zhvilluam në shtabin tonë në katin e dytë të Pallatit Studenti. Edhe një herë tjetër ata na paraqitën versionin e qeverisë për ndarjen e Universitetit në disa pjesë, në mënyrë që emri i E. Hoxhës të binte, por jo me vendim zyrtar. Përgjigjia që morën ishte negative dhe e prerë dhe ata u larguan edhe më të zymtë se ç’kishin ardhur. Bile Sënder Gjinushi kërcënoi duke thënë nëpër dhëmbë se “Ende nuk e keni kuptuar se ç’mund të ndodhë!”
Dita e nesërme e grevës u gdhi e një mori telegramesh solidariteti nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, nga Unioni Studentor i Prishtinës, dhe sindikatat, të cilat lexoheshin me zë të lartë dhe priteshin me brohoritje nga studentët. Rreth orës 12 të mesditës u përhap lajmi se do të vizitonte studentët grevistë Sali Berisha, or atij iu ndalua hyrja nga frika se bashkë me të në Pallatin e Kulturës Studenti do të hynin edhe turmat. Ai dërgoi përshëndetjen e tij për grevistët me një faks, i cili u lexua me zë të lartë. Në mesditë erdhën për të parë gjendjen e studentëve përfaqësues të Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, B. Mustafaj, R. Lani, E. Ballauri dhe K. Çashku, të cilët premtuan se çështjen e studentëve do t’ua përcillnin institucioneve ndërkombëtare, për t’u garantuar një mbrojtje fizike...
Ndërkohë nga PD-ja vinin sinjalet se më së fundi ata do të bashkoheshin pa rezerva me studentët. Këtë lajm e solli i pari Gramoz Pashkoja dhe më pas ky lajm u përforcua edhe nga Edmond Budina. Në pasdite vonë erdhi në Pallatin Studenti Azem Hajdari, i cili tha se emri ishte hequr. U bë një zhurmë e madhe dhe studentët po bëheshin gati të dilnin. Bile filluan të mblidhnin edhe batanijet të habitur që fitorja kishte qenë kaq e lehtë. Ata po përpiqeshin që të dilnin përjashta të festonin me popullin. Por në mes të haresë e rrëmujës së përgjithshme u kuptua se lajmi i sjellë nga Azemi nuk ishte zyrtar. Ai e kishte fjalën për propozimin për ndarjen e universitetit në pjesë. Propozimi i sjellë kësaj here nga PD-ja bëri që Blendi Gonxhja, Arjan Manahasa, Ndue Lugja dhe Ridvan Peshkëpia të propozonin që ky vendim të hidhej në votë përpara studentëve. Ekzistonte rreziku i degjenerimit të grevës dhe dalja e saj jashtë kontrollit. Komisioni i grevës përfundimisht u përça me Blendi Gonxhen të ishte i pari ndër anëtarët e komisionit që u akuzua për tradhti nga pjesa tjetër e komisionit dhe Ridvan Peshkëpinë, i cili shtroi alternativën se nëse nuk pranohej të votohej propozimi për ndarjen e Universitetit do të kishim pasoja. I revoltuar Ndue Lugja e kërcënon të mbyllë gojën se ndryshe do ta rrihte. Konflikti brenda komisionit të Grevës u mësua nga studentët, të cilët ishin gati të dëbonin B. Gonxhen dhe R. Peshkëpinë nga Pallati. Situata pothuajse kishte dalë jashtë kontrollit dhe gjendja u qetësua, kur të gjithë anëtarët e komisionit ndërhynë për qetësimin e situatës. Në këtë kohë uhartova një deklaratë të komisionit e cila u lexua nga Arben Lika dhe ku theksohej vendosmëria jonë për të qëndruar në Grevë urie deri në heqjen përfundimtare të emrit. Azemi ndenji edhe pak dhe pastaj u largua. Pozicioni i tij ishte i vështirë.
Si për të na ndihmuar në qetësimin e gjakrave ndërmjet nesh dhe për të na shtuar vendosmërinë erdhën lajmet që dëgjonim në radio e TV, ku theksohej se emri i E. Hoxhës nuk i përkiste vetëm studentëve, por gjithë popullit. Lajmet vazhdonin me realizimin e planeve në disa qytete e kooperativa bujqësore. Studentët vazhdonin të ishin të mërzitur dhe të gatshëm që të kalonin edhe një tjetër natë të vështirë.
Me studentët jemi ne! E hoqëm, e hoqëm qelbësirën!...
20 shkurti solli ngjarje të tjera po kaq të rëndësishme, të shpejta e të befasishme sa askush nuk ishte në gjendje të kuptonte çfarë kishte ndodhur dhe rëndësinë e asaj dite. Me mijëra banorë të Tiranës kishin ardhur në Qytetin Studenti, ndërkohë që nga rrethet e Shqipërisë vinin qytetarë për të demonstruar në përkrahje të studentëve. Partia Demokratike më së fundi shprehu përkrahjen e saj të plotë për studentët dhe kërkesat e tyre dhe Sindikatat kishin paralajmëruar një grevë të përgjithshme, e cila do të paralizonte vendin.
Brenda godinës ku ishim të ngujuar mbizotëronte optimizëm edhe pse nervat ishin të tendosura në kulm. Gjendja e studentëve sa vinte e përkeqësohej. Një vajzë e nxorrëm me barel të sëmurë e në gjendje të rëndë. Përpara kësaj gjendjeje vendosëm që nga greva të dilnin një pjesë e vajzave apo edhe e disa djemve të dobët e të sëmurë. Glukoza po na mbaronte dhe mjekët po u bënin grevistëve serumet e fundit. Por vetmohimi i studentëve nuk kishte shoq. Me të mësuar vendimin e Komisionit për nxjerrjen e studentëve të sëmurë, këta të fundit me lot në sy na u përgjigjën se ishin të vendosur që të mos dilnin gjallë pa u hequr emri. Nga jashtë godinës populli i Tiranës thërriste: “Enver- Hitler”, “Me studentët jemi ne”, “Studentët janë heronj”, “Studentët, bijtë tanë!”. Thirrjet e tyre shoqëroheshin me himnin kombëar e këngë patriotike.
Aty për aty u organizua një miting ku folës të ndryshëm morën hapur anën e studentëve. Edhe PD-ja nuk bëri mbrapa. Aktorja e njohur Rajmonda Bulku ftoi nënat dhe gratë shqiptare që të demonstronin përpara presidencës. Turma u var poshtë në rrugën e Elbasanit, duke u futur në krah të godinës së Radio-Televizionit ku ndeshi me qëndresën e forcave të ndërhyjes së shpejtë.
Pas autobotit që e spërkati me bojë të kuqe, pas krismave në ajër dhe lëshimit të qenëve të kufirit, turma e irrituar dhe e prirë nga të rinj guximtarë me flamurin kuq e zi pa yll, iu drejtua qendrës së Tiranës. Pas përleshjeve me policinë monumentit të diktatorit iu hodh në qafë një kavo çeliku dhe pasi u tërhoq nga një makinë policie u hodh përtokë.
Lajmi i rënies së monumentit mbërriti në godinën ku po zhvillohej greva e urisë dhe nga studentët e ngujua u prit me brohoritje e entusiazëm të papërshkruar. Një pjesë e studentëve u përpoq të dilte nga godina, por dyert vazhdonin të qëndronin të kyçura në pritje të lajmit zyrtar. Ndërkohë populli i Tiranës kishte sjellë në Qytetin Studenti, përpara godinës së grevës së urisë, konën e monumentit të diktatorit. Ajo u ngrit me kavo nëpër dritare dhe u shkelmua, u pështy nga studentët e ngujuar.
Ndërkohë studentët dhe populli i Tiranës thrrisnin në kor: “E hoqëm, e hoqëm, qelbësirën!”...
Komisioni vendosi që të pritej komunikata zyrtare e heqjes së emrit të diktatorit nga universiteti, lajm, i cili u komunikua në lajmet e orës 20.00. Ndërkohë në godinën e grevës dyert ishin hapur dhe studentët ishin bërë një me popullin...
Rekuiem...
Lëvizja Studentore është manipuluar në mënyrë monstruoze, ashtu siç thashë në fillim të këtyre shënimeve. Të tjerë, krejtësisht anonimë volën frytet që i pasuan kësaj lëvizjeje. Paranë, pushtetin, pafytyrësinë, hedhjen sa nga njëra parti tek tjetra, postet qeveritare... Listat e studentëveqë firmosën peticionin për heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti, si edhe lista e vërtetë e 723 studentëve e pedagogëve pjesëmarrës në grevë u dorëzuan atëherë në PD dhe në rektorat. Askush nuk e mori vesh se ç’u bë me to!...
Studentët grevistë, studentët e vërtetë, të cilët dolën ashtu të thjeshtë e krenarë, me kokat ulur pas lajmeve të ors 20.00, studentët që putheshin e përqafoheshin me popullin e thjeshtë nuk shkuan aq larg sa të merrnin meritat e pamerituara, meritat e të tjerëve. Thirrjet e popullit “Studentët janë heronj” ishte ndoshta vlerësimi më i lartë e i vetëm për ta.
Ne paguam një haraç shumë të madh: gjendjen e jashtëzakonshme, mbylljen e Universitetit, vrasjet, lënien në harresë, eksodin, përbaltjen dhe manipulimin e lëvizjes sonë.
Por dhurata që ne i bëmë popullit ia vlente për gjithë ato sakrifica. Studentët e brezit tim, studentët e Brezit 22, nuk kërkuan që rreth tyre të thurreshin legjenda e mite, ata luftuan që të shembin njëherë e mirë idhujt e mitet e rremë.
Heronjtë e vërtetë të atyre ditëve të zjarrta studentore aktualisht nuk kanë piedestale. Piedestalet janë me heronj të rremë, për të cilët studentët e brezit tim luftuan për t’i rrëzuar...
Por studentët e brezit tim e dinë se do të jenë të gatshëm që po t’i thërrasë atdheu t’i rrëzojnë edhe një herë heronjtë e rremë nga piedestalet. Ia kanë, ia kemi për borxh këtë gjë atdheut...

4 σχόλια:

Ανώνυμος είπε...

Bukur! Shume bukur! Nje shkrm i mire qe duhej ta lexonim. Urime!

Ανώνυμος είπε...

Keto data e fakte duhet te publikohen gjithmone, sepse historia eshte shtremberuar gjithmone ne Shqiperi, jo vetem nga pseudoprotagonistet, por edhe nga "protagonistet", te cilet gjithmone kane dashur monumente e vlera shpesh here te pamerituara per veten. Po ke shkrime te tjera te ketij lloji publikoji. Genti, Tirane

Ανώνυμος είπε...

Keto data e fakte duhet te publikohen gjithmone, sepse historia eshte shtremberuar gjithmone ne Shqiperi, jo vetem nga pseudoprotagonistet, por edhe nga "protagonistet", te cilet gjithmone kane dashur monumente e vlera shpesh here te pamerituara per veten. Po ke shkrime te tjera te ketij lloji publikoji. Genti, Tirane

Ανώνυμος είπε...

mire, po me protagonistet cu be? pse humben? ti a ke kontakte me ta? Bela, New York