Σάββατο 26 Ιουλίου 2008

Kanë thënë...

Kanë thënë...
Përgatiti: Ardi Stefa

Lucio Dalla: E përkryera është një humbje...

Energjia është një karakterstikë e botës, fantazia e artistëve dhe krijimtaria karakterizon si njerëzit e thjeshtë, ashtu edhe artistët.

Gjithmonë e kam konsideruar pushtetin si një lloj përbërësi kimik të aftë që të ndikojë mbi njerëzit që janë më të epshëm nga pikëpamja morale dhe të përcaktojë jetën e tyre personale.

Kryesisht më intereson të jetoj përvoja, të cilat të më lejojnë që të ndjek e vëzhgoj atë që për mua është më e rëndësishmja në epokën tonë: Ndryshimin e vazhdueshëm të shoqërisë.

Për mua arti është njëlloj në dy sy të mëdhenj në Kapelën Sikstina, ashtu sikundër edhe në solon e një muzikanti të zi në rrugët e Bronksit...

Përpiqem që të ruaj patologjinë, por edhe pasionin, brenda së cilës mundem dhe funksionoj si artist. Përpiqem që të mbrj mundësinë që gjendja ime të mos jetë krejtësisht anormale.

Liria e njeriut burgoset nga sistemet e kontrollit, të cilat kanë karakter psikologjik, janë artificiale dhe funksionojnë si në kuadrin e arsimimit, ashtu edhe brenda familjes.

Kisha fatin të isha djali i vetëm i një vejushe. Dikur lexova një tregim të Sartrit, sipas të cilit mashkulli ideal i mijëvjeçarit të tretë do të jetë djali i vetëm i një vejushe...

Në thelb nuk humbet asnjëherë. Po qe se reziston nuk humbet kurrë.. natyrisht që kjo gjë është një qëndrim jete, një përzgjedhje.

Nuk flas kurrë për veten në këngët e mia. Nuk kam shkruar kurrë një këngë autobiografike. Ajo ç’ka bëj është thjesht që t’i tregoj histori e ngjarje botës.

E konsideroj poezinë një pasion, një pasion të gjuhës. Ushqej respekt të madh për poezinë, por gjykoj se nuk është e domosdoshme për muzikën.

E përkryera është një humbje. Personalisht nuk më shërben aspak, nuk e dua në jetën time. Përkryerja nënkupton mohimin e gabimeve

Zoti gjendet tek secili prej nesh vazhdimisht. Kemi përshtypjen se evoluojmë, por ajo mundet të jetë një përshtypje metafizike. Në realitet rimishërohemi, në mënyrë që secili prej nesh të zgjidhë misterin që fshihet brenda tij.

Nuk besoj tek fundi. Besoj se ekziston vazhdimësia e gjërave. Vdekja është një tjetër palë këpucësh, ose një tjetër portë.

Do të dëshiroja të ktheheshim tek Rilindja, në epokën në të cilën jetonin njëkohësisht në të njëjtin qytet, Mihail Angjelos, Leonardo da Vinçi, Çelini, Masaxhio...

Mediat nuk synojnë në informimin, por tek kontrolli. Ata që merren me të, kanë ambicien që të na ndryshojnë akoma edhe ADN-në, lëvizjet tona, sjeljen tonë, mënyrën tonë të jetesës, përzgjedhjet tona...

Në luftën ndërmjet pushtetit dhe artit, fuqia gjendet gjithmonë në anën e artit. Tek arti shkon, arratiset njeriu për të marrë shpjegimet, përgjigjet e pyetjeve, të çlirohet, të argëtohet apo tmerrohet...

Studentëve të mi u mësoj libra të sociologut Mak Luan. Në të njëjtën kohë realiteti ka tejkaluar jo vetëm ato që ai thoshte, por akoma edhe ato të cilat ai mundet të kishta fantazuar...

Ndihem krejtësisht i barabartë me ata që komunikoj. Në të njëjtën kohë besoj se jam i veçantë. Jo për shkak të vlerave të mia artistike, por për shkak të mënyrës, me të cilën lidhem me gjërat që bëj.

E Majta nënkupton kureshtjen, vëzhgimin e ndryshimeve sociale, bashëkrendjen dhe rreshtimin me të pafuqishmit.

Kur shpirti i një artisti është i lirë dhe mundet të lidhet me ndryshimet sociale, atëherë rezultati është një bukuri pa kufij...





Salman Rushdie: Zoti ka mbledhur rreth vetes përrallëtarët më të mëdhenj që të mos mërzitet

Duhet të përdorësh kujtesën tënde që të zbrazet depoja dhe të ngelet vend për të grumbulluar informata të reja. Ka shumë rëndësi të hysh shpesh në depon e informatave të trurit. Përndryshe zë rrjeta merimangash dhe kalbet.

Të lexosh është art më vete. Është arti i bashkëpunimit leximi, është një përvojë që e ndan shkrimtari me lexuesin. Për këtë arsye besoj se letërsia zgjat në kohë. Pasi kjo marrëdhënie relativiteti që krijohet është e vetme.

Po qe se i hidhni një sy historisë së njerëzimit,
do të shikoni se shumë vepra të mrekullueshme u shkruajtën nën kushte me të vërtetë të vështira. Prandaj kërcënimi nuk është arsye për të mos bërë punën tënde, sado e vështirë që të jetë ajo.

Rreziqet më të mëdha vijnë nga vetë puna jote. Nuk nxjerr një libër në vit, më merr më shumë kohë që të shkruaj një libër. Tema që përzgjedh çdo herë është me rrezik të madh. Duhet të provohet se i përket edhe lexuesit tim.

Më parë gjej temën, objektin me të cilin do të merrem. Që aty e tutje, e tërheq në kufijtë e mi, përpiqem të shoh deri ku mundem të arrij. Zgjedh gjithmonë një histori, e cila ka disa kufij të gjerë, një histori, e cila më lejon të them mijëra gjëra.

Çdo artist i madh lufton që të zbulojë atë ç’ka nuk ka bërë, ç’ka nuk ka ndodhur. Përpiqet të tejkalojë atë që është bërë, të zbulojë diçka të re. Të paktën kështu shtohen mundësitë që të krijojë dikush një vepër të madhe.

Roli i artit ose i një intelektuali, ose i një shkrimtari ishte, sikundër thuhet në një proverb të vjetër t’i thotë pushtetit të vërtetën. Sot, ajo ç’ka presin njerëzit nga artisti, apo intelektuali, është më e shumtë e më komplekse. Shpesh ndiej se bota nuk pret më asgjë nga askush dhe kjo është tragjike.

Për mua, në analizë të fundit, gjithçka është çështje instikti. Ajo që e emërtojmë ndjeshmëri artistike. Duhet të mundesh të shohësh deri ku mundet të arrijë një ide dhe nga cila pikë e më tej bëhet e mërzitshme.

Po qe se do të kisha mundësinë të ndryshoja botën, do të zhdukja median. Do të vendosja televizorin në depo. Besoj se pushteti gjeti mënyrën që të hyjë në shtpitë tona dhe të bëjë çfarë të dojë në ambientet tona private në çfarëdo ore të ditës apo të natës që të dëshirojë.

Kemi arritur në pikën që të bëjmë dashuri me televizorin të hapur. Për të mos thënë se bëjmë dashuri dhe televizori korrigjon gabimet tona gjatë aktit seksual. Qeshim, por tashmë kjo gjë është një realitet fatal.

Për mua, i vetmi kërcënim real që vjen nga Amerika është dëshira e njerëzve për të konsumuar pa ndonjë arsye. Duke grumbulluar gjëra, “mblidhesh” edhe ti si njeri. Bëhesh i vogël, i pakët, derisa shndërrohesh një asgjë konsumuese, një askush me mijëra produkte rreth e rrotul.

Ndoshta vetëm dy periudha të politikanit janë të mira. E para është periudha gjatë së cilës pretendon pushtetin dhe ka vizionin e ëndërron se çfarë do të bëjë kur të marrë në duart e tij pushtetin. Periudha e dytë është ajo kur ai tërhiqet nga jeta politike.

Nuk e besoj se letërsia ka fuqinë të ndryshojë botën me një mënyrë të drejtpërdrejtë. Përkundrazi, ajo që gjithmonë besoja se ajo që mundettë bëjë është që ta ndryshojë pak e nga pak, duke nxitur gjithmonë një ndryshim të ri.

Po qe se nuk do të kisha lexuar Xhejms Xhojsin, Çarls Dikensin, Italo Kalvinon, Borhesin, Masadou de Asis, Gogolin, Bulgakakov dhe shumë të tjerë, nuk do të isha ai që jam sot. Kur lexon libra që të rrëmbejnë, të cilat të fusin në botën e tyre, të lenë disa gjëra, të cilat do t’i kesh përgjithmonë me vete.

Herët doja të bëhesha aktor, në universitet merresha më shumë me aktrimin sesa me të shkruarit. Kur mbarova studimet, në fund të viteve ’60, për dy- tre vjet luaja në një skenë teatrore, e cila ekzistonte atëherë në Londër. Akoma edhe sot teatri më mungon.

Tek një njeri mundet të lexosh gjithçka përveç njërës: dhuntisë. Veçanërisht për shkrimtarët, dhuntia e të parit të gjërave, të cilat nuk i shohin të tjerët. Të shohë dikush botën nga një këndvështrim interesant optik është diçka që nuk mësohet.

Talenti mundet të humbasë, pasi nuk është i pashtershëm. Disa herë ka nevojë që të ushqehet, disa herë të jesh kurrnac. Talenti shpesh herë ka nevojë që të ushqehet për të mos vdekur nga mungesa e ushqimit dhe herë të tjera të mbash dietë që të mos shëndoshet tepër dhe të shpërthejë.

Sipas Heraklitit, fati i një njeriu është karakteri i tij. Ky mendim drejtonte si vlerë bazë një pjesë të madhe të letërsisë botërore. Por në shekullin XX gjërat ndryshuan. Sfera e botës së brendshme, sfera e ndikimeve të brendshme pati një rëndësi të tillë, saqë karakteri ynë, fatkeqësisht, pushoi së qeni përcaktues për fatin tonë.

Kushdo që mendon se ka pushtuar të vërtetën absolute ndihet pak Zot dhe, natyrisht nuk mundet të pranojë cilindo që vë në dyshim të qenit e tij Zot! Një herë po u ndjeve Perëndi, mjafton të bëhesh fanatik potencial. Fanatik bëhet kushdo që mendon se posedon dikça të çmuar dhe që rrezikon ta humbasë.

Më vjen keq që nuk m’u dha mundësia të njihesha me Borhesin. E shihni, atje ku është Borhesi, fama e gjithë botës nuk ndihmon për asgjë. Fama, për fat të keq, nuk hap portat e Parajsës. Është e sigurtë se Zoti ka mbledhur rreth vetes përrallëtarët më të mëdhenj për të mos u mërzitur...



Dario Fo: Jam hajdut i mirë

Po qe se emigrantët largohen të ndjekur nga vendet e tyre, rrezikojnë jetën e tyre për të ardhur në vendet tona dhe përfundojnë në burg, është pothuase e pamundur të të kontribuojnë diku në mënyrë krijuese.

Vlera më e madhe që kemi me Franka Rame është se asnjëherë nuk e ndryshuam mentalitetin tonë, moralin tonë, qëndrimin tonë përballë ngjarjeve politike e sociale.

Po qe se identifikohesh me ata që shtypen, që dhunohen, që poshtërohen, është e kollajshme që të humbasësh, pasi vazhdimisht je në një pozicion të vështirë. Por duhet që të këmbëngulësh, pasi bezdis logjikën e pushtetit, e cila pothuajse gjithmonë të shtyp.

Disa njerëz nuk interesohen që të lenë pas gjëra të mira. Objektivi i tyre i vetëm është suksesi personal, pushteti, paraja, fuqia, triumfi, nxitja e frikës tek të tjerët dhe t’i drejtojnë...

Studiova pikturë dhe arkitekturë, por përzgjodha teatrin si diçka alternative, si diçka që ngjante me pushime.

Une dhe bashkëpunëtorët e mi, nuk tradhtuam kurrë atë që të tjerët prisnin prej nesh. Natyrisht me flijime. U ndoqëm nga televizori, vunë bomba në teatrot tona, dogjën vendet ku ne duhet të punonim, na dhunuan edhe fizikisht.

Do të thosha se jam hajdut i mirë, i bekuar dhe i shpejtë. Vjedh ide, njohuri, pasione, ndoshta edhe disa njerëz.

Njerëzit vijnë në teatër për të përfituar diçka. Duhet që t’u japësh diça dhe vetëm atëhere të besojnë. Një herë mundet që t’i dëfresh, herën tjetër t’i bësh që të mendojnë, herën e tretë t’u nxisësh krizë...

Të gjithë ata që shkojnë në teatër dhe pastaj ndezin televizorin më kujtojnë ata që kanë një bashkëshorte të shkëlqyer dhe shkojnë me një prostitutë të lirë. Por, megjithatë, nuk pushojnë kurrë së dashuruari gruan e tyre.

Nivelet e pafundme të dijes dhe kurreshtja ime e pandërprerë janë arsyet që më nxisin të jem gjallë.

Faktet e veprave shekullore të artit janë një zhytje e thellë në realitet, dëshmia e vlerave nëpërmjet të gjitha atyre që ndodhnin në realitetin e përditshëm, ironia, sarkazma dhe përmbysja e situatave.

Të jesh i majtë nuk është një medalje që e var në qafë. Po qe se je i majtë duhet të tregosh përkushtimin tënd, solidaritetin tënd të gjithëve atyre që janë objekt shfrytëzimi në mënyra të ndryshme.

Në art, një njeri pa rroba nuk është mjaftueshëm lakuriq. Duhet ta kthesh të brendshmen jashtë...

Satira e vërtetë nuk bëhet po qe se imiton tik-un e ndonjë njeriu, ose po e quajte trashaluq, apo hundëmadh. Satira e vërtetë flet për tragjedinë që jetpjnë njerëzit pa e kuptuar.

Ekzistojnë njerëz që presin një dhe vetëm një moment përmbysjeje në jetën e tyre. Por kjo është gabim. Çdo moment ke mundësinë e shansin që të përmbysësh jetën tënde. Thjesht duhet që ta kuptosh.

Kërkimi i së vërtetës nuk është i mjaftueshëm për një artist. Kërkon një mënyrë të veçantë, të frymëzuar për ta thënë e propozuar.

Lexuesit të ndihmojnë të shkruash, të krijosh, të trillosh. Ekzistonin herë që trillova situata komike, apo të çuditshme, pasi vetë publiku më dha ritmin, më nxiste, më dha forcë, akoma më tepër më tregonte se çfarë duhet të bëja...

Njerëzit si Leonardo da Vinçi dinin të bënin gjithçka, të luajnë në vegla muzikore, të këndojnë, të ndërtojnë katedrale, të ngërtojnë diga, të shohin anatominë dhe botën e brendshme të dikujt.

Zgjuarsia nuk ndryshon nga krijimi. Të mundesh të krijosh, duhet të kesh marrë kulturë. Njëra nuk ekziston pa tjetrën...

1 σχόλιο:

Ανώνυμος είπε...

thenie te mencura