Δευτέρα 27 Οκτωβρίου 2008

Vetëvrasja e keqkuptuar!...


Vetëvrasja e keqkuptuar!...
Nga Ardi Stefa

Alber Kamy shkruante: “Ka vetëm një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetëvrasja. Të tregosh nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet do të thotë t’i përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë...
Galileu, i cili zotëronte një të vërtetë shkencore të rëndësishme, e mohoi me shumë lehtësi sapo iu vu jeta në rrezik. Nuk ia vlente të humbisje jetën në turrën e druve për këtë të vërtetë. Toka apo Dielli rrotullohet rreth njëri- tjetrit kjo është gjë pa interes. Nga aa tjetër kam vënë re se shumë njerëz i japin fund jetës, se pse mendojnë që nuk ia vlen të jetohet. Të tjerë paradoksalisht vriten për idetë apo iluzionet, të cilat i japin kuptim jetës së tyre (ajo gjë që quhet arsye për të jetuar, është njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur!)”.

Vetëvrasja duhet rivendosur në podiumin që i përket, si në akt i mbushur me kuptim dhe vlera. Shpesh herë ata që vetëvriten, ndodh të të kenë rrokur kuptimin e jetës.
Të mësuar që të yshtim vetëvrasjen si një simptomë patologjie, ose të paktën e një çmendurie të çastit, apo mëkat të rëndë, që as Kisha nuk e pranon, kemi harruar të kaluarën e lavdishme që vetëvrasja ka nga mbas. Luftëtarët legjendarë, Samurai, po qe se çnderoheshin, kishin vetëvrasjen si zgjidhjen e vetme.
Ende më tej, vetëvrasja ka ekzistuar si vërtetim i “urtësisë” romantike, si moda mbarëeuropiane e vetëvrasjes që himnizoi Verteri, në romain postulat të Gëtes. Po qe se shtyhemi më këtej në kohë do të shohim se vetëvrasja bëri të famshëm shumë muzikantë e artistë, si Kurt Cobain, i cili bëri lëvizjen më të zgjuar të karrierës së tij, kur hodhi trutë në erë, duke siguruar, në këtë mënyrë në vend në Panteonin e yjeve të mallkuar të rrokut!
Edhe ata që janë përjetësisht romantikë e idealistë të pakorrigjueshëm, sikundër edhe të çmendurit që vrasin veten për të “përfituar”...
Së fundi, le të mos harrojmë edhe aktet terroriste, sulmet vetëvrasëse, të cilat, të paktën për ata që i kryejnë, janë akte të një frymëzimi hyjnor!
Duke jetuar tashmë në dy realitete, në atë shqiptar, por edhe në realitetin politik grek, jemi mësuar që të çnderohen, poshtërohen, tallen e satirizohen funksionarë të lartë të qeverisë (qeverive) pa konstatuar ndonjëherë se ata, për të cilët bëhet kaq shumë zhurmë e janë protagonistë skandalesh, as që e kanë vënë ndonjëherë ujin në zjarr.
Vetëvrasja, në kuadrin e turpërimit, as që ekziston tashmë në fjalorin politik, të jetës politike. As edhe akti më i thjeshtë i dorëheqjes për arsye morale, duket si një atavizëm i kohërave të tjera, ngjan tashmë si një akt kalorësiak i epokave të kaluara, ngjan si një akt kalorësiak i idealistëve të pakorrigjueshëm.
Shumica e politikanëve shqiptarë apo edhe e atyre grekë (pasi në Greqi kam më tepër se një dekadë që jetoj), nuk kanë asnjë lloj problemi që të bëhen rezil ditë e natë, ndërkohë që në të njëjtën kohë kërkojnë me këmbëngulje respektin dhe votën tonë!
Nuk mbaj mend ndonjë politikan nga të gjithë ata që janë kritikuar e janë zbuluar skandale, me vetë ata protagonistë, që të kenë treguar më të voglën shenjë pendimi, qoftë edhe simbolik.
Kështu që, nën prizmin e pacipërisë që mbizotëron në jetën politike e sociale, shembulli i samurajëve që vetëvriten do të duket si shembull për t’u imituar nga politikanët e pacipë e të korruptuar. Më e pakta që do të vërtetonin ishte se ata njerëz kanë të paktën një farë dinjiteti, qoftë edhe kur ajo rezulton nga trysni të mëdha dhe shantazhe.
Jam shumë i sigurtë se ka shumë qeveritarë e funksionarë të lartë shtetërorë që janë të implikuar në çështje kaq të ndyra sa Gërdeci, Firmat Piramidale, çështja Fazlliç e gjithë derivatet e saj...
Gjithashtu është më se e sigurtë që të gjithë ata persona kërcënohen në mënyrë të pamëshirshme nga klanet korruptive me të cilat bëjnë punët e ndyra.
Sikundër është më se e sigurtë se kabinetet qeveritare janë të mbushura me raste skandaloze korrupsioni e krimi, imoraliteti e hollësirash gudulisëse, të cilat mbajnë peng qeveritarët e piramidës shtetërore. Që këta të fundit të mos i shkojnë kundër kryeministrit, apo klanit të tij të korruptuar.
Ndaj edhe zgjidhen ministra pa asnjë lloj biografie, pa asnjë lloj personaliteti, që e shohin Njëshin si kult, si idhull, si njeriun, të cilit i dedikojnë gjithçka.
Dhe megjithëse mbahen peng, askujt nuk i ka shkuar nëpër mend vetëvrasja...
Sepse në parim mund të thuhet se për një njeri të ndershëm, ato që i beson si të vërteta duhet të përligjin veprimet e tij
Ajo, pra, që duhet të na shqetësojë më tepër nuk janë tentativat e vetëvrasjes. Apo vetëvrasjet. Ajo që duhet të na shqetësojë është tentativat e vetëvrasjeve, të cilat duhet të ishin bërë këtu e shumë kohë më parë dhe që as që do të bëhen ndonjëherë.
Secila nga ato tentativa të parealizuara të vetëvrasjeve ka fytyrën e ndonjë politikani, i cili ose nuk ka cipë në faqe, ose u mësua që të notojë për bukuri në llumin që rrethon pushtetin, pa u shqetësuar aspak nga era e ndyrë.
Këta janë më të rrezikshëm se të gjithë ata që janë “vetëvrarë” fizikisht, pasi këta nuk do t’i mësojmë kurrë...

1 σχόλιο:

Ανώνυμος είπε...
Αυτό το σχόλιο αφαιρέθηκε από έναν διαχειριστή ιστολογίου.