Πέμπτη 4 Δεκεμβρίου 2008

Reklamat dhe të tallurit!

Reklamat dhe të tallurit!
Nga Ardi Stefa

Siç duket, çfarëdolloj gjëje që të tentojnë të bëjnë qeveritë, për keq do t’u dalë në fund. Dhe kjo nuk është çështje tersllëku. Është një çështje e qartë e pazotësisë. E pafuqisë për të kuptuar se përpjekjet serioze kanë si kusht paraprak edhe përgatitjen serioze.

Qeveria shqiptare ka disa kohë, disa vite që paraqet disa reklama, disa spote televizive për të luftuar korrupsionin, pavarësinë e drejtësisë, për t’u paguar dritat e uji, tatimet dhe për t’u ruajtur i pastër ambienti.
Ashtu sikundër kryeministri në çdo mbledhje të qeverisë jep direktiva për t’u luftuar korrupsioni.
Por qeveria ka harruar se përveç parrullave, citateve e moralizmit, nevojitet edhe diçka tjetër për të dhënë rezultat kjo përpjekje.
Duhet që të jetë i besueshëm ai ose ata që u tregojnë apo u kërkojnë qytetarëve që të jenë korrektë në detyrimet e tyre.
Kur shteti u kërkon u kërkon qytetarëve që të respektojnë detyrimet e kundrejt tij (shtetit), duhet që edhe ai (shteti) të jetë korrekt dhe të respektojë detyrimet e tij kundrejt qytetarëve.

A ekziston ndonjë njeri që të besojë se vlen një gjë e tillë?
Pyesni më mirë qytetarët shqiptarë, biznesmenët modestë. Pyesni qytetarët që përditë kryejnë shkëmbime me shtetin dhe organizmat e tij. Pyesni pensionistët, ata që marrin përkrahje sociale, pyesni qytetarët që torturohen zyrave të shtetit për të marrë çertifikatat apo për të marrë dokumentat e pronave të tyre të ligjshme.
Pyesni të sëmurët nëpër spitale që vetëm paguajnë, paguajnë...
Pyeni të gjithë ata që dinë shqip dhe që janë korrektë kundrejt shtetit, me taksat dhe qytetarinë e tyre.
Pyesni komshiun, pyesni miqtë, pyesni mua, veten tuaj, të gjithë ata që përditë janë në marrëdhënie me shtetin dhe shërbimet publike.
Kujtoni edhe allishverishet tuaja personale me Zyrën e Tatimeve, Kadastrën, Hipotekën, Bashkinë, ministritë, prefekturën, Gjykatën, Policinë...
Cili nga ata nuk na ka tallur, aq sa ka vite të tëra që dëgjohet shprehja: “Të lumtë që ia fute shtetit!”

Edhe në shkëmbimet më ordinere me shtetin qytetari shqiptar ndihet idiot, ndihet i tallur. Dhe jo për shkak të nëpunësve, të cilët “zbatojnë” urdhërat, por për shkak të logjikës së shtetit. Po qe se nuk paguan, p.sh., tatimet në kohën e duhur, je i detyruar që të paguash gjobë. Por kur shteti duhet që të të kthejë disa taksa, pra, të të paguajë, atëherë një zot e di se kur do t’i marrësh paratë e tua.
Janë me qindra e mijëra rastet kur shteti ka detyrime ndaj qytetarëve dhe megjithatë bën një vesh të shurdhër.
Dhe kryeministri vazhdon me direktiva për të luftuar korrupsionin dhe për ndërtimin e një shteti social.

Nuk do të ndalem në të gjitha ato sa kërkon vazhdimisht kryeministri nga ministrat e tij përpara kamerave. Në fund të fundit nuk janë as edhe origjinale. Për saktësi janë të gjitha ato udhëzime tipike që u jep çdo kryeministër pjesëtarëve të kabinetit të tij ministror ditën e nesërme të marrjes së pushtetit. Atëhere është kur u shpjegon se çfarë objektivash ka, si do që të punojnë, çfarë pret nga secili prej tyre dhe se si do të kontrollojë punën e tyre.
Por kryeministri ynë nuk është i djeshëm. Ka rreth katër vjet në pushtet dhe prandaj është e natyrshme pyetja: Kur këto kohët e fundit ndien nevojën t’u kërkojë ato që u kërkon, gjithë këto vite ç’bëri, çfarë u kërkonte të bënin?
Nuk u kërkonte të luftonin shtrenjtësinë, papunësinë, të përpiqeshin për të përmirësuar jetesën e përditshme të qytetarëve shqiptarë? Nuk u kërkonte që të uleshin krah qytetarëve dhe të merreshin me problemet e tyre?
U kërkonte që të luftonin korrupsionin me spote televizive dhe reklama nëpër gazeta, ndërkohë që korrupsioni mbizotëron në çdo skaj të jetës dhe të marrëdhënieve shtet- qytetar?

Gjëra të thëna e të stërthëna me mijëra herë, do më thoni, por pikërisht se gjendja po shkon nga e keqja në më keq, mirë është që të thuhen e të stërthuhen.
Sepse përsa kohë që do të ekzistojë ka mentaltet, atëherë të gjitha fushatat për të luftuar korrupsionin, ruajtjen e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, etj, etj, jo vetëm që nuk do të kenë rezultat, por do të revoltojnë edhe ata, të cilëve supozohet se u drejtohet, duke sjellë rezultate të kundërta nga ato që priten...

Δεν υπάρχουν σχόλια: