Σάββατο 20 Δεκεμβρίου 2008

Zjarre në boshllëk pushteti!...


Zjarre në boshllëk pushteti!...
Ardi Stefa
Pa plan përballimi të krizës qeveria

Për herë të parë e pashë fytyrën e Aleksit në një mur pranë zyrave të gazetës. Lotova. Nuk e dija nëse lotova për djaloshin, apo prej gazit lotsjellës. Duke parë gërmadhat dhe hirin, duke marrë frymë me vështirësi prej lëndëve kimike e tymit, lotova përsëri. Lotova për Athinën, “qytetin tim, tashmë”, lotova për fëmijtë, të rinjtë, për vlerat e vrara, demokracinë dhe lirinë e plagosur...

E dorëzuar në zjarre dhe në mëshirën e akteve kriminale të personave vandalë ka qenë Athina këto ditë, ndërkohë që e njëjta pamje vërehej edhe në Selanik dhe qytete të tjera të Greqisë, duke dëshmuar në këtë mënyrë vakuumin e pushtetit dhe pamundësinë e aparatit shtetëror për të garantuar qetësinë dhe sigurinë.
Shoqëria greke po ndjek me gojë hapur, e mpirë dhe e revoltuar të gjithë ato ç’ka kanë ndodhur pas vrasjes së adoleshentit 15 vjeçar, ndërkohë që qeveria po paraqet një pamje paralize totale.
Kryeministri Kostas Karamanlis ka garantuar se të gjitha aktet vandale që pasuan ngjarjen tragjike të vrasjes së adoleshentit nuk do të jenë më të pranueshme e të tolerueshme”!
Por disa orë më vonë nga kjo deklaratë, skena e tmerrit është përsëritur në qendër të Athinës dhe jo vetëm, me dhjetëra godina, banka, njësi tregtare, hotele, restorate, makina të përfshira nga flakët, ndërkohë që policia ishte në rolin e vëzhguesit.
Dëshmi e dobësisë së qeverisë ishte mbledhja urgjente e Komisionit të emergjencës, mbledhje e cila përfundoi pa paraqitjen e ndonjë plani për përballimin e krizës.
Ministri i Brendshëm, Prokopis Pavlopulos, ka mbrojtur lëvizjet e qeverisë dhe të Policisë dhe ka deklaruar se “Tjetër gjë është pamja dhe tjetër gjë është realiteti!”
Por jo! Ashtu siç është pamja dhe e njëjtë me pamjen është edhe realiteti!
Qeveria është vënë me shpatulla pas murit me të gjitha partitë politike të kërkojnë dorëheqjen e saj, ndërkohë që aktet vandale, pavarësisht se nga e morën nxitjen, u kanë dhënë një goditje shumë të rëndë tregtarëve dhe bizneseve në qendër në kryeqytetit grek dhe të qyteteve të tjera, duke bërë që kriza ekonomike të vijë më shpejt nga sa pritej. Disa dhjetëra e qindra biznese të vogla e të mesme janë shkatërruar e plaçkitur totalisht, në një kohë që qindra e mijëra punonjës kanë ngelur në mes të katër rrugëve dhe kanë humbur punën.
Ironi tragjike?
Nga mania e vandalëve, nuk u kursye e nuk shpëtoi as edhe dyqani i nënës së viktimës së plumbave të policit...
Janë shkatërruar me dhjetëra makina të policisë e zjarrfikëse, godina, biznese...
Por më e rëndësishmja është se pasojat janë edhe më të thella.
Jo vetëm politike.
Jo vetëm ekonomike.
Janë edhe pasoja shumë të rënda sociale. Trishtimit, revoltës, dëshpërimit të sotëm, çfarë do t’u pasojë nesër?
Të rinjtë e shohin shtetin dhe policinë si armiq!
Tregtarët ndihen të pambrojtur ashtu si edhe qytetarët.
Greqia u përfshi nga flakët, po ashtu u plagos ndjenja e Demokracisë, Lirisë, Paqes Sociale dhe e rendit publik.
Sado të drejtë të kenë disa njerëz për rrugën pa krye që ka sjellë politika greke, ajo që duhet të mbizotërojë tani është rivendosja e rendit dhe e rregullit, i funksionimit të Demokracisë në të gjitha qytetet. Çështja e e grupeve të organizuara që sulmojnë Demokracinë dhe Shtetin, është një çështje politike dhe të gjitha forcat politike duhet të vihen përpara përgjegjësive që u takojnë.
Të gjithë ata që u dëshmuan si të pazotë për të administruar krizën dhe për të mbrojtur jetën dhe pasuritë e qytetarëve duhet të largohen menjëherë. Pasi janë ata që e nxitën këtë krizë në një masë të madhe.
Dikush, diku, më së fundi duhet të mbajë përgjegjësi politike, morale e qytetare...

Δεν υπάρχουν σχόλια: