Σάββατο 20 Ιουνίου 2009

Është e vështirë të gatuash iluzione







Është e vështirë të gatuash iluzione
Ardi Stefa

Çfarë po ndodh në mendjen tënde? Në çfarë vende të paeklsploruara mund të udhëtojë? Thuaj që je diku dhe do të kërkoj të të gjej. Është e vështirë të gatuash iluzione. Janë çaste që rrjedhin si një çokollatë e ëmbël që lyen buzët e tua dhe që të mbështjell edhe më shumë gjuhën. Janë çaste që kanë si garniturë një krem të freskët që lenë një pikë si shenjë më hundën tënde dhe që nxisin puthjen time.
Është e vështirë të gatuash iluzione. Janë çaste të thata, sikur të pikojnë pika limoni në gjuhën tënde, që i përzien me lëng të kripur të gjuhës. Janë çaste të hidhura si qitro që nuk u lidh në liko dhe që ndryshon grimacat e gojës. Janë çaste si kafshata të një buke bajate e me myk, që i kapërcen pa i përtypur për të shpëtuar pak nga neveria e një kujtimi bajat. Është e vështirë të gatuash iluzione. Si një brumë i mbuluar nga mbeturina të rrethuara me rrjetë merimangash që nuk e lënë majanë të marrë frymë. Janë çaste si qumësht i thartuar, që nuk arrite ta pështysh se kishe etje. Janë çaste si një çamçakiz i ripërtypur, që e le në stol dhe që të nxit rrënqethje me shijen e saj.
Janë çastet e pafundme të neverisë dhe zhgënjimit që u ngjitën në mendjen tënde.

Po çfarë po ndodh në mendjen tënde? Ku humbe përsëri që të hmba dhe unë? Pak të të lë nga dora dhe fluturove. Një çast të të humbas nga sytë dhe u zhduke. Dhe ti durimi im përsëri e zbraze vendin krah meje dhe unë udhëtoj i vetëm. Dhe ti optimizmi im që përton të më shoqërosh dhe që ngele i vetëm me pasqyrimin e një pamjeje times të përlotur të mos duroj të shohë tutje një xhami të veshur nga avulli...
Do të mundje ndonjëherë të përgatisje një Cocktail ndjenjash për çdo rast? Po qe se vë në blender të shiprtit tënd një shumicë arbitrariteti me dy doza entusiazmi dhe pak vetëbesim të thërrmuar, do të mundje që të qerasje pafundësisht egoizmin tënd, derisa organet e brendshme të rrjedhin gjak. Po godie në shaker të ndërgjegjes tënde vetminë që të tepron, shumë trysni, disa ëndrra të humbura, zhgënjime të njëpasnjëshme, premtime të harruara, pak dashuri të vdekur dhe mjaftueshëm pasiguri do të katandisje të ecje kaq keq, saqë nuk do të guxoje të bëje as edhe një hap për të ikur prej spirancave që kaq vite të tërheqin në thellësinë e errët të një jete që tashmë nuk e jeton ashtu siç e kishe fantazuar përpara shumë vitesh.

Por çfarë ndodh në mendjen tënde? Çfarëdo që të ndodhë ndoshta nuk u prish ende bota. Përse gjërat duhet të jenë kështu ose ndryshe? Përse të mos i nxjerrësh të pastra mendimet nga baulet e errëta të mendjes, që u vaditën me naftalinën e turpit? Le të dalin ndjenjat e rrudhosura në të dritën e pastër, me shpresën se do të marrësh frymë edhe ti për një çast? Shtroji me duart e pasta rrudhat nga ëndrrat e ndrydhura e të shtypura që i ruaje si sekrete të fshehura mirë këtu e dhumë vjet. Jepi një fryrje të fortë pluhurit që i mbulon dhe leri të ikn nga dritaret e hapura.
Leri ngurrimet mënjanë dhe pi sonte një gotë pije të pastër, jo cocktail, bashkë me ne. Thith një cast një cigare nga ne dhe ndiqe këngën tonë. Eja, do të mësosh fjalët e gëzimit. Ndonjëherë nuk e durojmë dot veçantinë e ekzistencës sonë dhe akoma më e vështirë është kur nuk durojnë të tjerët ankthin e brendshëm që nxjerrin anët e errëta të vetes sonë. Do ta durojmë vetminë e ekzistencës sonë të veçantë. Nuk jemi gjë tjetër veçse Perëndi të vogla dhe së bashku do të përpiqemi të prekim engjëjt. E vtemja që do të mund të na ndihmonte tani është një përqafim. Dhe është gjithmonë i hapur për ty!...