Τρίτη 23 Ιουνίου 2009

Dënime të ashpra viktimave, të buta autorëve...

Dënime të ashpra viktimave, të buta autorëve...
Ardi Stefa
Ju kujtohet Nea Manoladha?
Ishte protagonistja e disa muajve më parë, kur emigrantët u ngritën kundër kushteve ç’njerëzore, në të cilat i mbanin në punë vendasit gjatë kohës së mbledhjes së luleshtrydheve. Vetëm një pjatë gjellë e një copë bukë dhe orë të pafundme të punës, të paguara jashtëzakonisht keq...
Një ngjarje e rëndë ndodhi javën e kaluar. Në Nea Manoladha, dy fshatarë vendas, lidhën me litarë, pasi më parë i kishin rrahur egërsisht me grushta dhe hunj, dhe të zhveshur lakuriq i sillnin vërdallë nëpër qendër të fshatit, dy emigrantë nga Bangladeshi...
Si në filmat me kaubojsa.
Akuza e tyre ishte se “Emigrantët u kishin ngrënë tre dele!”...
Për këtë arsye fshatarët morën ligjin në dorë dhe i linçuan e i poshtëruan aq rëndë emigrantët.
Pas të qeshurave të para, hutimit që pasoi, dikush i thirri mendjes dhe lajmëroi policinë.
Policia erdhi dhe i arrestoi që të katërt. Dy fshatarët që i tërhiqnin zvarrë të lidhur pas motorrit dhe dy emigrantët nga Bangladeshi...
Dy emigrantët klandestinë, natyrisht...
Deri këtu, mirë. Skandalozja e çështjes qëndron në faktin se akuzat më të rënda janë në kurriz të viktimave të këtij linçimi e poshtërimi, në kurriz të emigrantëve dhe jo të dy autorëve të këtij krimi kaq të rëndë kundrejt dinjitetit të njeriut...
Dhe m’u kujtua një paragraf nga një dramë e Brehtit, të cilën po mundohem ta paraqes sa më besnikërisht:
“Ishin kohët e regjimit nazist. Një natë dëgjoi klithma e të thirrura. Doli në dritare dhe pa se nazistët po mblidhnin hebrejtë. Nuk jam hebre,- tha dhe futi kokën brenda.
Pas disa netësh përsëri dëgjoi zhurma. Ishin nazistët që kishin ardhur të arrestonin komunistët e rrugës. Nuk jam komunist,- tha dhe futi kokën brenda...
Pas disa netësh përsëri nazistët erdhën. Përsëri zzhurmna e të thirrura. Po mblidhin ciganët.
Nuk jam, as cigan,- tha dhe përsëri futi kokën brenda...
Pas disa netësh dëgjoi trokitje të forta në portën e tij. Nazistët kësaj here kishin ardhur për të. Po unë nuk jam as hebre, as komunist, as cigan, as...,- u ankua me vete...
Por kësaj here nuk kishte ngelur njëeri në rrugë që të thërriste për të...”
Këto fjalë të Brehtit janë mëse aktuale, sot në Greqinë e shekullit të XXI, kur jeta politike ka ngelur peng e politikave dhe e histerisë fashiste të Karaxhaferrit dhe emigrantët po provojnë një progrom kaq të rëndë...
Këto fjalë janë mëse aktuale, sot në Greqinë moderne, e cila fajëson për çdo gjë të keqe që provon mbi kurriz, për çdo pazotësi të sajën, emigrantët...

Σάββατο 20 Ιουνίου 2009

Është e vështirë të gatuash iluzione







Është e vështirë të gatuash iluzione
Ardi Stefa

Çfarë po ndodh në mendjen tënde? Në çfarë vende të paeklsploruara mund të udhëtojë? Thuaj që je diku dhe do të kërkoj të të gjej. Është e vështirë të gatuash iluzione. Janë çaste që rrjedhin si një çokollatë e ëmbël që lyen buzët e tua dhe që të mbështjell edhe më shumë gjuhën. Janë çaste që kanë si garniturë një krem të freskët që lenë një pikë si shenjë më hundën tënde dhe që nxisin puthjen time.
Është e vështirë të gatuash iluzione. Janë çaste të thata, sikur të pikojnë pika limoni në gjuhën tënde, që i përzien me lëng të kripur të gjuhës. Janë çaste të hidhura si qitro që nuk u lidh në liko dhe që ndryshon grimacat e gojës. Janë çaste si kafshata të një buke bajate e me myk, që i kapërcen pa i përtypur për të shpëtuar pak nga neveria e një kujtimi bajat. Është e vështirë të gatuash iluzione. Si një brumë i mbuluar nga mbeturina të rrethuara me rrjetë merimangash që nuk e lënë majanë të marrë frymë. Janë çaste si qumësht i thartuar, që nuk arrite ta pështysh se kishe etje. Janë çaste si një çamçakiz i ripërtypur, që e le në stol dhe që të nxit rrënqethje me shijen e saj.
Janë çastet e pafundme të neverisë dhe zhgënjimit që u ngjitën në mendjen tënde.

Po çfarë po ndodh në mendjen tënde? Ku humbe përsëri që të hmba dhe unë? Pak të të lë nga dora dhe fluturove. Një çast të të humbas nga sytë dhe u zhduke. Dhe ti durimi im përsëri e zbraze vendin krah meje dhe unë udhëtoj i vetëm. Dhe ti optimizmi im që përton të më shoqërosh dhe që ngele i vetëm me pasqyrimin e një pamjeje times të përlotur të mos duroj të shohë tutje një xhami të veshur nga avulli...
Do të mundje ndonjëherë të përgatisje një Cocktail ndjenjash për çdo rast? Po qe se vë në blender të shiprtit tënd një shumicë arbitrariteti me dy doza entusiazmi dhe pak vetëbesim të thërrmuar, do të mundje që të qerasje pafundësisht egoizmin tënd, derisa organet e brendshme të rrjedhin gjak. Po godie në shaker të ndërgjegjes tënde vetminë që të tepron, shumë trysni, disa ëndrra të humbura, zhgënjime të njëpasnjëshme, premtime të harruara, pak dashuri të vdekur dhe mjaftueshëm pasiguri do të katandisje të ecje kaq keq, saqë nuk do të guxoje të bëje as edhe një hap për të ikur prej spirancave që kaq vite të tërheqin në thellësinë e errët të një jete që tashmë nuk e jeton ashtu siç e kishe fantazuar përpara shumë vitesh.

Por çfarë ndodh në mendjen tënde? Çfarëdo që të ndodhë ndoshta nuk u prish ende bota. Përse gjërat duhet të jenë kështu ose ndryshe? Përse të mos i nxjerrësh të pastra mendimet nga baulet e errëta të mendjes, që u vaditën me naftalinën e turpit? Le të dalin ndjenjat e rrudhosura në të dritën e pastër, me shpresën se do të marrësh frymë edhe ti për një çast? Shtroji me duart e pasta rrudhat nga ëndrrat e ndrydhura e të shtypura që i ruaje si sekrete të fshehura mirë këtu e dhumë vjet. Jepi një fryrje të fortë pluhurit që i mbulon dhe leri të ikn nga dritaret e hapura.
Leri ngurrimet mënjanë dhe pi sonte një gotë pije të pastër, jo cocktail, bashkë me ne. Thith një cast një cigare nga ne dhe ndiqe këngën tonë. Eja, do të mësosh fjalët e gëzimit. Ndonjëherë nuk e durojmë dot veçantinë e ekzistencës sonë dhe akoma më e vështirë është kur nuk durojnë të tjerët ankthin e brendshëm që nxjerrin anët e errëta të vetes sonë. Do ta durojmë vetminë e ekzistencës sonë të veçantë. Nuk jemi gjë tjetër veçse Perëndi të vogla dhe së bashku do të përpiqemi të prekim engjëjt. E vtemja që do të mund të na ndihmonte tani është një përqafim. Dhe është gjithmonë i hapur për ty!...

Δευτέρα 15 Ιουνίου 2009

“Fshesë” në Athinën e zbrazur

“Fshesë” në Athinën e zbrazur
Në fund të korrikut do të jetë e mundshme “një ndërhyrje masive” e Policisë Greke në kryeqytetin helen për t’u transportuar emigrantët klandestinë në “qendrat e pritjes”, sipas ministrit alternativ të brendshëm, K. Markojanakis, i cili ka paralajmëruar edhe një konflikt të hapur me anarkistët në vijim, po qe se do të ketë reagime nga ana e tyre...
Ardi Stefa
Ministri i brendshëm alternativ, Kriatos Markojanakis ka paralajmëruar “spastrime masive” nëpër lagjet e Athinës, në mënyrë që të gjithë ata emigrantë klandestinë që do të kapen të çohen në “qendrat e pritjes”, të cilat po krijohen gjatë kësaj kohe. Zoti Markojanakis, i cili është edhe përgjegjësi për rendin publik të Greqisë, ka komunikuar se në fund të korrikut, olicia greke do të ketë mundësinë që të fillojë operacione masive për përballimin e problemit të krijuar nga emigrantët klandestinë, numri i të cilëve është rritur ndjeshëm kohët e fundit. Zoti Markojanakis ka folur me hollësi edhe për vendet e qendrat e pritjes, si edhe ër superstrukturën e atyre vendeve që do të “mikpresin” klandestinët, deri në kohën kur kërkesa e tyre për azil politik të miratohet ose jo, në mënyrë që të deportohen. Ministri ka deklaruar se janë siguruar fondet e nevojshme që të jetojnë e të mbahen emigrantët klandestinë në kushte njerëzore.
Një vjeshtë e “nxehtë”?...
Duhet theksuar se fjalët e zotit Markojanakis paralajmërojnë edhe një vjeshtë shumë të “nxehtë” përsa i përket problemit tjetër që ka policia, konfliktit të hapur me anarshistët. Duke qenë se deklaratat e ministrit të brendshëm, P. Pavlopulos, tregojnë se qeveria dëshiron fillimisht që të mbyllë një front, atë të emigracionit klandestin, e më pas të merret me anarshistët, në qytetet kryesore greke, Athinë, Selanik, Patra, etj, të cilët përfitojnë nga azili që kanë universitetet dhe pas çdo konflikti ngujohen atje.
Qeveria mohon krijimin e “kampeve të përqëndrimit të klandestinëve”
Ministri i shtypit të Greqisë, E. Andonaros, ka hedhur poshtë kritikat që i bëhen qeverisë nga e Majta dhe organizatat antiraciste, në lidhje me krijimin e “kampeve të përqëndrimit të emigrantëve klandestinë”!
Ministri Andonaros ka theksuar se toleranca e qytetarëve ka kapur kulmin, ashtu sikundër edhe mundësia ekonomike greke për të mbajtur këtë numër kaq të madh klandestinësh.
Ministri grek ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që i bëhen qeverisë, se me krijimin e qendrave të tilla të pritjes së klandestinëve, kthehen në kujtesën e njerëzve kujtime e mbresa të epokave të tjera. “Do të ruhen e respektohen të gjitha të drejtat e njeriut, edhe për klandestinën, ashtu si ruhen e respektohen për të gjithë njerëzit e tjerë”,- ka theksuar ai.
Sipas ministrit të shtypit, “çështja nuk është vetëm e Greqisë, por është një çështje shumë e mprehtë e në nivel europian. Greqia është nën një trysni shumë të madhe emigracioni, disanaloge përsa i përket madhësisë së vendit dhe mundësisë së mabjtjes të një numri gjithnjë e në rritje të emigrantëve klandestinë!”.

Drejt krijimit të ministrisë së emigracionit
Lideri i opozitës socialiste, J. Papandreu në një intervistë të tijën paraqet akset kryesore të politikës së tij për emigracionin klandestin. Veçohet përballimi i përgjithshëm nga një ministri e posaçme, me shërbime të specializuara...
J. Papandreu në një intervistë të tijën paraqet boshtet kryesore të politikës që do të ndjekë për të rikthyer ndjenjën e sigurisë për jetën, lirinë, pasurinë publike e private tek qytetarët grekë.
Zoti Papandreu ka theksuar se PASOK-u ka një plan të përcaktuar e të qartë për përballimin e fenomenit, i cili garanton se emigranti në Greqi, refugjati politik, do të kontribuojë në mënyrë krijuese në zhvillimin, mirëqenien, kulturën dhe prezencën e vendit në arenën ndërkombëtare.
Zoti Papandreu ka paraqitur projektin e tij me tetë pika:
1- Tolerancë zero ndaj emigracionit të paligjshëm. Objektivi është 0% emigrantë klandestinë.
2- Përforcimi i ruajtjes së kufijve. Kërkesa të vazhdueshme për marrjen e fondeve të tjera shtesë e më të mëdha nga BE për këtë qëllim.
3- Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe dhe atyre ndërshtetërore, dhe veçanërisht zbatimi i Protokollit të Riatdhesimit të Klandestinëve në Turqi prej nga hyjnë.
4- Krijimi e zbatimi i një politike të përbashkët humanitare të BE për një ndarje të barabartë të refugjatëve politikë. Duke marrë analogjikisht të gjitha shtetet anëtare të BE dhe jo vetëm vendet kufitare.
5- Riqartësimi i politikës greke kundrejt refugjatëve- një vlerësim i shpejtë i të gjithëve atyre që kanë të drejtën e përfitimit të strehimit politik dhe cilët janë jo të ligjshëm që duhet të riatdhesohen.
6- Integrimi i emigrantëve të ligjshëm në shoqërinë greke me politika serioze në arsim, luftimin e punës së zezë, dhënien e nënshtetësisë, veçanërisht të rinjve që i përkasin brezit të dytë të emigrantëve.
7- Krijimin e zbatimin e një politike të qartë për afrimin e fuqisë së aftë për punë në ato sektorë, ku ka nevojë për punë sezonale, apo nevoja permanente. Përballimi i përgjithshëm i gjithë kësaj situate do të bëhet nga një ministri e posaçme për emigracionin që do të ketë shërbime të specializuara dhe punonjës po ashtu të specializuar.
8- Programe të posaçme të rindërtimit të qyteteve, lagjeve, veçanërisht të atyre që janë getoizuar, me investime publike, një politikë sistematike të strehimit të emigrantëve dhe garantimin e bashkëjetesës paqësore dhe të tolerancës sociale.
Kritika të ashpra qeverisë

Në pesëvjeçarin e fundit politika e Demokracisë së Re për emigracionin, refugjatin politik, emigracionin klandestin ishte e mangët dhe inekzistente, thotë zoti Papandreu. Sipas tij, qeveria nuk ka asnjë politikë për ata që kërkojnë strehim politik, duke sjellë si rezultat që të gjenden në një zonë gri, mijëra e mijëra njerëz, të cilët vërtiten nëpër qytetet dhe portet greke dhe hyjnë e dalin nëpër burgje e rajone policie.
Sipas zotit Papandreu qeveria nuk ka asnjë politikë të integrimit të emigrantëve të ligjshëm në shoqërinë greke, duke sjellë si rezultat izolimin e brezit të dytë të emigrantëve, të cilët, të vetmin atdhe që njohin, është Greqia”...

Δευτέρα 8 Ιουνίου 2009

Emigrantët- kërcënimi ynë më i dashur asimetrik


Emigrantët- kërcënimi ynë më i dashur asimetrik
Nga Afroditi Al Saleh
Kohët e fundit, gjithnjë e më shumë shtohen zërat, por edhe mendimet e analistëve në lidhje me bashkëpunimin e emigrantëve në organizata me sjellje keqbërëse, që nga plaçkitjet gjatë ngjarjeve të dhjetorit, në aktet terroriste kundër bankave apo sulmeve ndaj policëve, por edhe në rrëmbimet e sipërmarrësve dhe biznesmenëve të fuqishëm.
Karakteristike është një shkrim i para disa kohëve në gazetën Elefterotipia me titull: “Dhe u bëfshin terroristë klandestinë!”, në të cilin thuhet se në radhët e organizatës “Aksioni Revolucionar” ka emigrantë. Sipas artikullit në fjalë, “në listën e të dyshimtëve, përveç atyre, të cilët ishin skicuar në të kaluarën nga shërbimi antiterrorist, një vend të veçantë zënë për herë të parë edhe emigrantët, dosjet e të cilëve janë duke u shqyrtuar në mënyrë të hollësishme!”.
Vlerësimet e Policisë Greke mbështeten në:
1- Pjesëmarren jo të vogël në “pushtimet” e universiteteve, nga grupe të rinjsh emigrantë
2- Në faktin e ekzistencës së një trakti të ASOEE, të përkthyer ë katë gjuhë (shqip, anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht).
3- Në kthimin e provuar të emigrantëve në moshë të re drejt organizatave jashëparlamentare dhe të grupimeve autonome politike.
4- Në shpërbërjen e organizatave të njohura të emigrantëve
5- Në getot që janë krijuar në shumë lagje të Athinës.
Kështu që sipas artikulit të Elefterotipisë, Policia Greke , vlerëson se duhet të rishqyrtohet politika e emigracionit “brenda një kuadri të përgjithshëm të sigurisë publike dhe rendit publik”!
Dua të theksoj qysh në fillim se ky shkrim botohet në njërën prej gazetave greke, në mos në gazetën më liberale politikisht, e cila ka qëndruar në pararojë të luftës kundër dallimeve. Dhe, megjithëse gazetarja nuk pozicionohet, qysh në titull do të mund të dallonim, bona fide, njëfarë ironie...
Duke iu përgjigjur shkurt, nëpërmjet gojës së gazetarit qëndrimeve, do të thoshim se e para, është krejtësisht e kuptueshme, por edhe e ligjshme që të merrnin pjesë në bojkotimet e universiteteve studentët- fëmijë të emigrantëve.
E dyta, trakti i përkthyer edhe në shqip i ASOEE, dhe që kritikohet aq shumë nga “analistët” dhe policia, është mëse normale që të paraqitet në shqip, pasi emigrantët shqiptarë përbëjnë 10% të popullsisë dhe është mëse e natyrshme që të dinë se përse e gjithë Greqia ku jetojnë e punojnë është ngritur në këmbë.
Dhe ky veprim, përkthimi i komunikatës edhe në shqip, dëshmon për humanizmin e komunitetit universitar dhe jo për pjesëmarrjen e emigrantëve në organizata terroriste.
Dhe, nga sa di unë, ASOEE, është një universitet dhe jo strehë terroristësh.
E treta, kthesa e vërtetuar nga disa, e emigrantëve drejt partive jashtëparlamentare, nuk vërteton asgjë, veçse politizimin e emigrantëve, të cilët mundet t’i konsiderojnë (dhe me të drejtë) partitë jashtëparlamentare si më mikpritëset për ta. Në të njëjtën kohë do të mund të thoshim se përbën një gabim të qëllimshëm e provokim, identifikimi i partive jashtëparlamentare me organizatat terroriste.
E katërta, është e vërtetë që për fëmijtë e emigrantëve organizatat e emigrantëve, në të cilat janë anëtarë prindërit e tyre, nuk përbëjnë asnjë lloj joshjeje e tërheqjeje. Dhe kjo ndodh pasi e njohin veten e tyre si pjesë e rinisë greke.
Dhe shpërbërja e organizatave të emigrantëve është e natyrshme dhe është pjesë e një plani politik të organizuar mirë.
Së fundi, është e ditur që nuk ekzistojnë geto në kuptimin e mirëfilltë të fjalës në Athinë akoma. Vetëm po qe se nuk njohim kuptimin e fjalës geto.
Përsa i përket konkluzioneve të Polcisë Greke për një rishqyrtim të ri të politikës së emigracionit në kuadrin e ruajtjes së rendit publik dhe qetësisë, nuk do të kisha kundërshtim. Por që të rishqyrtojmë një politikë, në fillim duhet që ajo të ekzistojë.
Si rrjedhim, kur të ketë një politikë për emigracionin duhet që në radhë të parë të përkujdeset për jetët e njerëzve që jetojnë në vendin tonë, të mos i shkatërrojë ekonomikisht dhe psikikisht dhe të respektojë veçantinë e tyre kulturore.
Përveç këtyre nuk mundet të konsiderojmë si koincidencë të gjithë retorikën në lidhje me pjesëmarrjen e emigrantëve në krimin e organizuar. Kujtoni dhjetorin, ku: “Emigrantët dogjën, shkatërruan e plaçkitën, pasurinë e njerëzve të qetë e nikoqirë grekë dhe se të vjedhurat e dhjetorit shiteshin në Lazarat!”...
Kujtoni, kur sulmet ndaj makinave të policisë iu atribuuan organizatave terroriste, në të cilat, pa dyshim kishin infiltruar edhe emigrantët.Më pas, emigrantët, si armiq të grekëve nikoqirë, si armiq të demokracisë dhe edhe të qeverisë, kanë shkuar drejt krimit ordiner, por edhe atij të organizuar.
Nuk mundet të lemë mënjanë e pa përmendur analizat e gazetarëve të njohur, të cilët në rastin e rrëmbimit të biznesmenit Panagopulos, këmbëngulnin se dy nga rrëmbyesit ishin emigrantë dhe kishte shumë gjasa të kishte edhe emigrantë të tjerë në grupin e rrëmbyesve, pasi: “Shqiptarët në Greqi jetojnë 18 vjet dhe kështu që e flasin greqishten si grekët!”...
Në të njëjtën mënyrë u trajtua edhe akti kriminal ndaj Konstandina Kunevës.
Disa analistë këmbëngulnin në ato që thoshin se Kuneva ishte një emigrante, të cilën ndoshta disa shqiptarë, ose bullgarë, ose pakistanezë, e detyruan të pijë acid, pasi acidi dhe sulmet me acid janë të zajkonshme në ato vende!...
Dhe prokuroria urdhëron policinë që t’i kërkojë autorët në radhët e emigrantëve...
Të gjitha këto nuk janë të rastësishme. Me të drejtë qeveria shfrytëzon stereotipet ideologjike të grekëve: grekët nuk shpërthejnë, grekët nuk i thyejnë dyqanet e bashkëqytetarëve të tyre, grekët nuk shijnë ndaj policëve, grekët as pranojnë e as hedhin acid, grekët janë të urtë e familjarë dhe grekët janë të rrethuar e të sulmuar nga emigrantët e këqinj...
Për këtë arsye neve grekët e qetë duhet të bashkohemi dhe të mbrojmë Greqinë dhe qeverinë nga kërcënimet që i bëhen prej emigrantëve, të cilët paraqiten si një grupim kompakt
Patriotizëm etnik vs kërcënimeve asimetrike të emigrantëve barbarë.
Nga ana e komunikimit, kjo taktikë është e shkëlqyer. Politikisht është jashtëzakonisht e rrezikshme.
Është e rrezikshme, pasi krijimi i armiqve të dukshëm e të padukshëm, shpesh herë merr trajtën e profecisë së ideologjive të tjera...
Dhe atëherë kush do të na mbrojë?...
http://afroditealsalech.blogspot.com
në foto: Afroditi Al Salech

Δευτέρα 4 Μαΐου 2009

Diktatura e paditurisë

Diktatura e paditurisë
Nga Ardi Stefa
Ka raste kur përmbytesh nga dëshpërimi. Për ato që ndodhin. Për ato që dëgjon. Për ato që lexon. Moda e viteve të fundit e Bloger-istëve dhe e internetistëve u jep zë dhe tribunë shprehjesh të mendimeve, edhe një pjese të shoqërisë, e cila nuk kishte shumë shanse deri tani që të dëgjohej. Por në të njëjtën kohë zbulon edhe dobësitë që karakterizojnë botën e sotme.
Jetojmë në botën e hiperbolizimit dhe të njohjes gjysmake.
Po qe se ndjek lajmet, faqet e internetit dhe komentet që bëhen nëpër blogje, atëhere, konkluzionet që nxjerr nuk janë edhe fort të mira.
Njerëzit në përgjithësi janë të PAINFORMUAR. Dhe jo vetëm kjo. Por duke pasur si bazë njohjet e cekëta, apo edhe konceptimet e shpërfytyruara e të shtrembëra për realitetin, njerëzit e botës si internetit, zhvillojnë bindje të egra, të cilat sipas rasteve çojnë në fanatizëm dhe, në të paktën, ekstremizma fjalësh e frazash.
Po qe se lexon ndokush komentet e një pjese jo të vogël të “internetistëve”, do të konstatojë një shpërthim fyerjesh, natyrisht anonime, ose me pseudonime, në lidhje me çështje për të cilat është e dukshme se njohja e vërtetë është inekzistente.
Kur idiotësia konsiderohet mençuri, kur idiotësia konsiderohet cinizëm, kur sharjet origjinalitet dhe padituria konsiderohet konceptim përparimtar, atëherë e ardhmja, e nesërmja nuk mund të imagjinohet veçanërisht optimiste.
Por anjë “anonim” qoftë edhe me pseudonim, nuk ia vlen aq sa të prishësh nervat. Kohët e fundit, me internetin, janë keqkuptuar termat “demokraci”, “censurë”, “liri”...
I mbysim në anarshinë dhe ndjenjën e përkohshme e egoiste se “jemi të rëndësishëm”, qoftë edhe anonimisht.
Po, dialogut, po kritikës në shkëmbimin e mendimeve, por një JO e madhe konfliktit nëpërmjet sharjeve e fyerjeve, jo fashizmit të kompleksikëve impotentë.
Le të fillojmë me disa shembuj.
Lexoj në internet shkrime të ndryshme, në lidhje me tema nga më të ndryshmet. Poshtë tyre me dhjetëra “komente”, shumica anonime. Secili e komenton një çështje ashtu siç e koncepton dhe kjo është një e drejtë e demokracisë, qoftë edhe e demokracisë pa kufij të internetit. Por çështja qëndron në faktin se më parë se të kapim tastierën e kompjuterit dhe të komentojmë gjithkënd e gjithçka, duhet të lexojmë, duhet të mësojmë, duhet të dimë të lexojmë midis rreshtave.
Pasi është e vërtetë që mendimet janë si të ndenjurat, të gjithë kanë nga një. Por çështja qëndron në atë që mendimet të kenë të ndenjura dhe jo të jenë mendime... “të ndenjurash”!...
Më vijnë në Blogun tim komente nga më të ndryshmet, ashtu, sikundër edhe nëpër artikujt që botoj në shtyp, ka komente, nga miqtë, por në shumicën e rasteve nga “anonimët” dhe internetistët me “pseudonime”.
Jam përpjekur t’u shpjegoj me mirësjellje se ata nuk janë gjë tjetër veçse vizitorë dhe si të tillë duhet të sillen, me mirësjellje dhe respekt, ashtu sikundër “besoj” se sillen kur shkojnë një një shtëpi të huaj. Nuk mund të hysh në një shtëpi të huaj, pa trokitur në derë. pa thënë kush je, pa u sjellë në mënyrë të qytetëruar.
Pasi kultura atje fillon: tek dera e jashtme e çdo shtëpie. Të shtëpisë tënde ku banon dhe pret vizitorët. Tek shtëpia e tjetrit ku i viziton si i ftuar ti!
Blogjet nuk janë ash sheshe publike, as gazeta, as programe televizive, as kafene. Është vendi personal i cilitdo krijuesi- pronar të tij, i cili vullnetarisht u hap dyert që ta vizitojnë ata që dëshirojnë.
Por kjo nuk do të thotë, se që të gjithë ata që vizitojnë vendin personal të secilit, kanë automatikisht edhe të drejtën, duke u justifikuar me “lirinë e fjalës” që e kanë keqkuptuar dhe e keqinterpretojnë, pra këta nuk e kanë të drejtën që të hyjnë, të shajnë, të fyejnë, mashtrojnë e shpifin.
Më thonë miq të mi: Je person që shpreh fjalë publike dhe si i tillë duhet të pranosh edhe kritikën më të ashpër, edhe sjelljen e keqe.
Jam dakort me pjesën e parë, por kurrsesi me të dytën. Nuk besoj se, akoma edhe një gabim të madh po të kesh bërë, cilido ka të drejtën të të shajë për këtë.
Lexoja disa artikuj në lidhje me mbrojtjen e mjedisit. Bëra gabimin të lexoja edhe disa nga komentet e anonimëve. Dyshoj nëse të gjithë ata që ulërasin për mbrojtjen e mjedisit i mendojnë mirë apo i njohin pasojat. Edhe unë jam që të mbrohet mjedisi, por jo me ulërima, as me histerizma.
Pakësimi i smogut, i dioksidit të karbonit, për shumicën e vendeve të zhvilluara duhet të jetë në nivelet e viteve ’70. kur popullsitë ishin dy herë më të vogla dhe të ardhurat për kokë shumë herë më të pakta. Me nevojat e sotme, si do të arrijmë në nivele të tilla? Natyrisht me privime të jetës e mirëqenies sonë (d.m.th. harroni makinat, harroni frigoriferët, televizorët plazma, dushet, kondicionerët, etj, etj)...
Sa vetë janë të gatshëm që ta bëjnë këtë gjë? Shumë pak, pothuajse asnjë, edhe nga ata që shkruajnë artikuj, edhe nga ata që komentojnë në mënyrë anonime. A nuk përbën kjo hipokrizi?
Disa bërtasin me zë shumë të lartë për diçka që nuk duan të ndodhë kurrë. Por ekologët, kritizerët, ekonomistët, politikanët, cinikët e internetit do të vazhdojnë të bërtasin e ulërasin duke sharë e fyer, të gjithë ata që kanë mendime të ndryshme nga ata, ose edhe të gjithë ata, mendimet e të cilëve nuk i kuptojnë...
Sepse atje ku fshihet e vërteta, errësohet e ardhmja...
Padituria, pra, drejton e udhëheq shoqërinë. Dhe imponon një diktaturë errësire mesjetare, një diktaturë obskurantiste.

Πέμπτη 30 Απριλίου 2009

mendimet... e "mendimtarëve"!...

Mendimet janë si të ndenjurat, të gjithë kanë nga një. Dhe është normale.
Por çështja qëndron me “mendimtarët” në Shqipëri, të cilët kanë jo nga një, por nga njëqind mendime, për të gjitha çështjet. Dhe që për këto “mendime” ftohen nëpër studio televizive e paguhen aq shumë...
Si për gripin e derrave, ashtu edhe për sëmundjet e vreshtave...
Si për veprimet politike, ashtu edhe për çështjet fetare, të letërsisë, të artit e të sportit.
Si për tërmetet, ashtu edhe për demonstratat e disa veprimtarëve të ndonjë shoqate që s’ka pikë vlere...
Si për vlerat botërore në të gjitha fushat, ashtu edhe për Adelën dhe Bjordin e Big Brother...
Si për faqet e internetit, ashtu edhe për llogjet që vetë bëjnë në Facebook...
Natyrisht që mendimet janë e drejta e sekujt që t’i ketë e t’i shprehë.
Por “mendimtarët” duhet të japin mendime me të “ndenjura” dhe jo mendime “të ndenjurash”, shqip...mendime bythe...
p.s: Sa për ngushëllim. “Mendimtarët” shqiptarë nuk janë vetëm. Konkurrohen denjësisht nga kolegët e tyre grekë...

Σάββατο 25 Απριλίου 2009

Të shkruarit, torturë apo dhuratë?...

Ka shumë porta për të hyrë në një histori...
Dhe historitë u ndodhin atyre që dinë t’i tregojnë...
Këtë kam besuar dhe vazhdoj të besoj gjithmonë...
Letërsia është për të gjithë, apo është elitare? Të shkruarit është torturë apo dhuratë? Është një torturë, dhuratë nga Zoti!Si është laboratori i shkrimtarit?
Pika e mrekullueshme ku takohen peripecia e të shkruarit dhe shkrimi i peripecisë? Ç’ndodh me shkrimtarët që vuajnë përpara letrës së bardhë?
Dhe pastaj, ç’tregojnë për sekretet dhe gënjeshtrat e vetes së tyre dhe të fjalëve, të botës dhe të riprodhimit të saj?
Çfarë ndodh me shkrimtarët, të cilët përpara, gjatë e pas shkrimit nuhasin jo vetëm lëkurën, por edhe thërrimen e tekstit, ndryshojnë maskat e heroit letrar, të kritikut dhe të lexuesit; zbulojnë torturën që sjell shija e shkruesit...
Dhe, në fund të fundit, shkrimtari tregon historinë që kundërshton të bëhet histori..


Ese nga Ardi Stefa

Shpesh herë ideja kryesore e një libri, mundet të vijë vetëm nga një frazë e thjeshtë, një pamje, nga çfarëdo gjëje, e cila do të mundet të nxisë e të prekë një tel të ndërgjegjes.
Pastaj ndërtohet ngadalë- ngadalë historia, ndërkohë që paralelisht punohet edhe tema. Procedura fillon në momentin e frymëzimit, për të vazhduar jo vetëm gjatë kohës së shkrimit, por edhe më pas, edhe pas botimit të veprës. Do të thosha që kjo procedurë nuk përfundon kurrë.
Roman, novelë apo tregim?
Çfarë hapësire dhe çfarë trajte i shkon më tepër historisë që shkruaj?
Por çfarë më shkon vetë mua më shumë?
Ndoshta vetëpërmbajtja shkrimore, të cilën e vë në dyshim gjatë gjithë jetës sime, nuk më mjafton që ta hetoj e studioj. Por një peshë specifike në shkrim gjithmonë ka fraza apo paragrafi me të cilin fillon. Pikërisht për faktin që me të fillon një ritëm narativ, i cili, pavarësisht nga ulje- ngritjet e episodeve të ndryshme, je i detyruar që ta ndjekësh deri në fund.
Ka shumë porta për të hyrë në një histori. Të kapësh ngjarjet nga fillimi, mesi apo nga fundi?
Mos vallë të ndjek historinë nëpërmjet syve të një të dyti, të një personazhi tëdytë dhe jo të protagonistit?
Ta tregoj në kohë të pacaktuar, apo të jem i përpiktë? Gjithashtu, ta shkruaj historinë në vetë të tretë (rrëfimtari që di gjithçka), në vetë të parë (mbretëria e ndërgjegjes dhe fantazisë), apo në vetë të dytë. Mos vallë është më mirë t’i përdor të treja së bashku?...
Personalisht më përlqen veta e dytë dhe ajo e parë. Kur i drejtohesh dikujt, sikur e akuzon e akuzohesh, sikur e këshillon e këshillohesh, sikur dialogon...
E njëjta gjë edhe me vetën e parë. Dialogon, monologon, këshillohesh me vetveten...
Natyrisht që një roman apo tregim, apo novelë, ka një temë e subjekt qendror. Por ka edhe tema të tjera anësore, të cilat funksionojnë si frymëmarrje dhe oaze dhe në të njëjtën kohë sishtylla mbajtëse, të temës kryesore.
Shpesh herë e di qysh në fillim fundin e rrëfimit tim, pavarësisht se gjatë procedurës së shkrimit shumë gëra ndryshojnë. Sa herë që ndodh një gjë e tillë, fillimisht e lë të rrjedhë ashtu, por ndërkohë në subkoshiencë, nxitoj që ta rrëmbej variantin e ri, dhe, le të ndodhë që la braktis përsëri shumë shpejt. Nuk mundet të bësh asgjë, po qe se do që rrëfimi të jetë i shpejtë, ritmik e i ankthshëm. Apo mos vallë unë jam tip i ankthshëm?
Herë- herë kam një histori të përcaktuar për të thënë, shpesh herë mbizotëron një situatë. Jam gjendur përballë me të dyja rastet dhe preferoj të mesmen.
Një histori ku të integrohen të gjitha llojet e fjalës: poezia, reportazhi gazetaresk, eseja filozofike, proza poetike, dialogjet teatralë, skenaret kinematografikë dhe televizivë. Deri edhe pamje apo fotografi mundet të përdorësh në një shkrim.
Për çfarë kanë nevojë historitë, vetëm për fillim, mes e fund, apo edhe për një forcë të brendshme, faktin e zhvillimit dhe të befasisë?...
Natyrisht që jam shumë i kujdesshëm që të mos humbas në labirinthin e subjektit e ngjarjeve. Shpesh herë ndjek të shkruarit pa subjekt, duke shmangur gjatë shkrimit e rrëfimit atë që për mua do të ishte lodhje e mundim. Për mua ka shumë rëndësi trajta dhe fjala, mënyra e të shkruarit. Ndërtimi i frazës. Për mua letërsia, jo vetëm lexohet, ajo edhe recitohet, ndjehet, shkruhet. Edhe mënyra e të shkruarit është e tillë që e ndryshon krejt kuptimin e një tregimi apo novele, vetëm nga përdorimi i shenjave të pikësimit.
Subjekti është vetëm i jashtëm. I barabartë me rrëfimin, por edhe i brendshëm, që të çon në psikografi. Koordinimi i tyre është i shkëlqyer.
Çehovi thoshte: “Kur e fillon një histori me një gozhdë, duhet në fund që heroi të varet nga ajo...”
Shpesh herë karakteret e heronjve janë të përcaktuar qysh në fillim në subkoshiencën time, shpesh herë ata rezultojnë brenda evolucionit të historisë.
Kategoria e parë është e afërt me teatrin, e dyta me kinematografinë. Mua gjithmonë më shqetëson fakti se çfarë janë ezaktësisht protagonistët e mi. Në tragjeditë antike, apo edhe dramaturgjinë angleze të epokës së mbretëreshës Elisabet, heronjtë ishin mbretërit. Ç’vlen për shoqëritë masive bashkëkohore? Si mund të jetë hero një njeri i zakonshëm. Mjafton të nënvizosh sfondin historik e shoqëror? Mos vallë shkon shumë thellë me personalitetet ekstreme, të këqinjtë e letërsisë laike? Apo me variantin: “njerëz të zakonshëm, në situata të jashtëzakonshme”?
Në shumë shkrime të mia mbizëtëron proza poetike dhe ajo narrative, me fjali të shkurtra e të prera. Dialogu pothuajse nuk ekziston. Ose janë dialogje si nga një bashkëbisedim i zbardhur nga magnetofoni dhe dialogje që thjesht i përshkruaj.
Shpesh herë një shkrim imi nuk është gjë tjetër veçse një monolog dramatik i pafund.
Ekziston edhe çështja e titulli, i cikli duhet të përmendet drejtpërdrejt ose cekëtazi në temën kryesore. Më superiorë titujt që lejojnë interpretime shumëplanëshe të një rrëfimi.
Në shumicën e rasteve, përpjekjet e mia letrare janë të realizmit, kryesisht, magjik. Realizmi magjik, ndoshta nuk është edhe shumë popullor në letërsinë shqiptare, por, përderisa flasim gjithmonë për trillim, për letërsi; thellë- thellë është e njëjta gjë.





Ndjenjë...
Nuk e di se çfarë ndodh dhe të vjen një ide, e cila kërkon të bëhet tregim, poemë apo roman. E shënon diku, pa e menduar se me ato fjalë fillestare, me ato fjalë aq të pakta do të kalosh shumë kohë duke u torturuar dhe ndoshta do të përshtysh gjak.
Shkruaj gjithmonë të njëjtin libër dhe ndiej të më vëzhgojnë vazhdimisht ata që shkruajtën përpara meje, ata që shkruajnë në krah tonë dhe ata që në të ardhmen do të më lexojnë.
Ndiej se jap gjithmonë llogari përpara të gjithëve, kryesisht njerëzve të afërt të mi, atyre që ç’varros nga kujtesa dhe akoma, edhe ndaj atyre që takova ndonjëherë rastësisht, (apo pashë me cep të syrit vetëm pamjen e tyre, p.sh., ndërsa mbillnin lule) dhe në vijim trajtova fatin e tyre në letërsi.
Natyrisht që nuk jam shkrimtari i vetëm që ka në kompjuter histori të tëra të papërfunduara, apo ide të parealizuara. Pazotësia e administrimit të ideve më mundon shumë. Funksionoja gjithmonë spontanisht. Më vinte një ide, më entusiazmonte dhe filloja të shkruaja si maniak. Por disa ditë apo javë më vonë më vinte në kokë një ide tjetër, që më rrëmbente, kështu që braktisja të parën për të kapur të renë, ndërkohë që paralelisht ndihesha fajtor për braktisjen. Dhe përsëri ndodhte e njëjta gjë, edhe me idenë e re, disa ditë më pas.disa prej tyre iu riktheva përsëri më vonë për t’i...ribraktisur...
Procedura e të shkruarit zgjat disa pak ditë, ndërsa libri tregimi vërtitet në mendjen time muaj të tërë, ndërsa librat me vite. Dhe në vërtitjen në kokë është realizuar edhe shkrimi i tij. Hedhja në kompjuter është procedura mekanike, pasi edhe korrigjimet janë bërë në mendje më parë.
Pason një frazë e mbushur plot ankth: “Çfarë arrita të shkruaj?”.
Atëherë ia jap gruas ta lexoj, dhe, duke bërë gjasme varavingo brenda në shtëpi, pres përshtypjet e saj, gjykimet dhe vërejtjet.

***

Mënyra se si e tregon apo komenton diçka, është tema kryesore
Gjithmonë më krijonte ndjenja të përziera- adhurimi dhe mosbesimi- pamja e shkrimtarit që i kishte sirtaret të mbushura me dosje dhe projekte librash, me shënime të hollësishme, subjekte të zhvilluara, synopsise librash, karaktere të ravijëzuara, por edhe të plota, kapituj të gatshëm për librat e tij.
Unë asnjëherë nuk munda të funksionoj kështu. Dy- tre fije letre, të nxira me një shkrim që e kuptoja vetëm unë, disa shënime të shpejta, që as vetë shpesh herë nuk arrija t’i deshifroja. Me kalimin e viteve dhe ardhjen e kompjuterit, as ato nuk i kam më çdo gjë e hedh në kompjuter dhe pastaj vuaj duke e kërkuar.
Më parë punoja mbi disa projekte njëherazi. Tani jo. Dua të mbaroj në fillim atë që kam nisur dhe pastaj të nis të tjerat. Jo se nuk kam ide, thjesht e di qysh në fillim se çfarë është ideja. Është me thellësi, është e cekët apo vrul spontan i momentit. Vetëm kur kam gjetur përgjigjet kaloj në shkrimin e tregimit, apo romanit.
E punoj shumë në mendjen time veprën dhe karakteret. Pastaj përpiqem të shoh nëse mundet ta tregoj historinë me një mënyrë të re, të paktën të ri për mua. E urrej vetëpërsëritjen. Jo aq për arsyet e moralit shkrimtar, sa për faktin që bezdisem e mërziten jashtëzakonisht kur bëj diçka që kam bërë.
Besoj se jam shkrimtar intelektual, por nuk jam aq i “ngjitur” me letërsinë, as obessiv. Besoj se shkrimtari duhet që të ketë ndërgjegjen e trashëgimnisë letrare, të kërkimeve letrare që i kanë paraprirë, por duhet, gjithashtu të ruajë kontaktin me jetën dhe përvojat e tij.
Letërsia është një mënyrë, më joshësja, për të folur me botën, por nuk është bota dhe as që mundet ta zëvendësojë. Një histori e bukur mundet ta robërojë një lexues, me mënyrën e të shkruarit, karakteret, subjektin, por, kur ai përpiqet ta ritregojë, ndien se thelbi i shpëton, se nuk kufizohet në të dhënat e saj.
Ndjenja e komplikimi të tillë që të le leximi i një historie, për mua është masa e pjekurisë së dialogut me jetën.
Për mua lehtësimi është vetëm fundi i shkrimit. Kjo gjë më gëzon për dy- tre ditë, e shumta. Nuk ia jap kujt ta lexojë variantin përfundimtar të një libri, sepse, megjithëse ka shumë vetë, mendimin e të cilëve e çmoj dhe vlerësoj, e di që janë larg meje, në konceptim dhe shkrim.


***
Fjala...
Në fillim ishte Fjala? Ndoshta nga ndonjë frymëmarrje hyjnore u hodh ajo që krijoi botën tonë dhe, qysh atëhere, sikundër ka thënë dikush, kufijtë e botës sonë, janë kufijtë e gjuhës sonë...
Historitë që mundet të tregojmë janë aq të shumta, aq sa të shumtë janë edhe njerëzit që u panë përpara nesh në pasqyrën e pafundësisë dhe që do të shikohen atje edhe pasi të kemi ikur ne. Po qe se ekziston diçka brenda nesh që duam ta nxjerrim jashtë dhe ta bëjmë të përcaktuar me fjalë, ndoshta në thellësi na fshihet një prestigjator endacak që do të duhet që me fjalinë e parë të joshë dhe me të fundit, në qoftë se është e mundur, të ngelet i paharruar. Për këtë arsye, mendimi im është se i përzgjedhim me kujdes fjalët dhe kujdesemi posaçërisht për çeljen dhe mbylljen e historive tona. librat më të mira që kemi lexuar, janë ato, për të cilat do të donim që të kishin edhe më tej jetë, dhe, ndërsa kemi arritur në fund, shfletojmë fletët e fundit, pasi nuk mundemi të ndahemi.
Gjithmonë, sa herë që mbaroj një përpjekje letrare, e lë mënjanë dhe e harroj për pak kohë. Që të më ftohet gjaku. Në mënyrë që kur ta rilexoj, të kem distancën që nevojitet për të korrigjuar frymëmarrjen e paragrafëve. Diçka që mundet të ndihmojë në ritmin e drejtë është leximi me zë të lartë. Po munde vendos edhe atë melodi që mendon se i shkon tekstit. Në këtë mënyrë përdorim të gjithë armatimin e gjuhës.
Duke shkruar e duke fshirë, duke shkruar e duke fshirë, luajmë kukamçefti. Me kë luajmë kukamçefti? Përpara së gjithave me veten tonë, por edhe me vetë tekstin, i cili fillon të marrë jetën e tij dhe disa herë merr edhe për ne një trajtë të padurueshme.
Luajmë kukamçefti edhe me muzën tonë, e cila shpesh herë mundet të na braktisë, të na përqeshë, duke na nxjerrë gjuhën në mënyrë tallëse.
Të gjithëve atyre që flertojnë me gjuhën, më parë doja t’u këshilloja që të lexonin sa më shumë, ta zotëronin gjuhën shkëlqyeshëm dhe pastaj ta përdornin, për të përshkruar ato që ata mendojnë se u vlejnë. Qoftë një perëndim dielli, qoftë një situatë, qoftë një ëndërr...
Në fillim ishte Fjala?...
Natyrisht. Fizionomitë dhe ato që më bëjnë përshtypje përditë në rrugë, ngjarjet e historitë që kam dëgjuar, shpesh herë fillojnë e zbehen nga kujtesa ime. Derisa harrohen për një farë kohe.
Por nga e gjitha kjo diçka ngelet. Personazhe fantastikë, të cilëve përpiqem t’u jap mish e gjak, t’u jap jetë. Edhe personazhe realë që përpiqem t’i ringjall nga kujtesa ime. Dhe vazhdimisht flas me veten. Me ndjenjën se shkruaj e rishkruaj gjithmonë të njëjtin libër, të njëjtën histori, dhe, nga njëri libër në tjetrin, çdo herë me mënyra të ndryshme...

***

Vjen një çast, kur asgjë nga ato që kam shkruar nuk më pëlqen. Pastaj zbutem dhe i pranoj të gjitha ato që kam shkruar. Edhe ato që pata shkruar vite e vite më parë. Këta ishin kufijtë e mi,- mendoj,- kaq munda.
Ndërmjet heronjve të mi që më shikojnë në sy dhe më kërkojnë të bëhem shkrimtar më i mirë, por edhe njeri më i mirë.
Mendimi i lexuesve, përtej çdo emocioni, nuk do të mundte kurrë të ndikonte në shkrimin tim. Aq më pak i kritkëve, akoma edhe më pak ai i miqve.
Dhe kjo mundësia ime për të shkruar, ka të bëjë kryesisht me mundësinë dhe nevojën për të kuptuar në radhë të parë veten time dhe botën.
Është bërë tashmë mënyrë jetese.
As torturë, as dhuratë, thjesht mënyrë? Një mënyrë për të ekzistuar.
Të mendoj, pra, të shikoj e të dëgjoj, me një pamje brenda tjetrës, si një film që kurrë nuk mbaron...