Δευτέρα 19 Νοεμβρίου 2007

Një vështrim ndryshe për Pavarësinë

Një vështrim ndryshe për Pavarësinë
Në 28 Nëntor festojmë shpalljen e Pavarësisë. Në 28 Nëntor nderojmë kryengritjen që çoi në pavarësinë e më pak se gjysmës së territorit të Shqipërisë. Të Shqipërisë, e cila më tepër u krijua vite më pas dhe jo siç na kanë thënë apo duam të besojmë se ka ndodhur. Ndoshta ka ardhur koha që me gjak të ftohtë e të çliruar nga pasionet “Patriotiko-folklorike” të shohim në sy të vërtetën e kryengritjes e revoltës së Pavarësisë...
Një kryengritje, një revoltë, të cilën askush nuk e shpalli, në asnjë Shesh të Flamurit në Vlorë nuk u ngrit flamuri (u ngrit fillimisht në Skelë, në Sheshin e Flamurit u bë ceremonia festive).
Të gjitha këto u krijuan më pas nga “Historia Folkloristike shqiptare”. Një histori, e cila u krijua jo vetëm vite më pas, jo vetëm në mungesë të protagonistëve të vërtetë, por edhe të të ashtuquajturve protagonistë, të cilët nuk u ndërgjegjësuan kurrë se do t’u ngarkonin një të tillë rol.
Një kryengritje, që, nuk nisi nga Shqipëria, por nga jashtë, jo më 28 Nëntor, por vite më parë. Jo nga shqiptarët vendas, por nga shqiptarët e mërguar; nga një grusht komplotistësh, iluministësh, rilindësish, patriotësh të mërguar. Jo nga bajraktarët e kryetarët e fiseve, por nga ata që ishin dëbuar e quajtur “tradhtarë në shërbim të turkut!” (Trimat vendas mbërritën në Vlorë kur flamuri ishte ngritur nga të “dëbuarit” e atdheut!)
Një kryengritje, në të cilën nuk morën pjesë pasardhësit e Pirros e të Teutës, të Lek Dukagjinit e Skënderbeut, por shqiptarë vendas e të mërguar, arvanitas e arbëreshë, shqiptarë e pakica të tjera kombëtare, bile edhe italianë, francezë e rumunë. Dhe shumë njerëz të tjerë, nga i gjithë planeti, të cilët kontribuuan materialisht e fizikisht për kryengritjen e Pavarësisë, që ndihmuan për Pavarësinë edhe kur nuk vrapuan për t’u vrarë në emër të saj. Një kryengritje, të cilën e bënë të tyren shumë njerëz dhe njerëz të ndryshëm, trima të vërtetë, por edhe aventurierë. Edhe ata që dikur thërrisnin kundër “Babës” dhe disa muaj më pas merrnin malet me parrullën “Dum Babën”!
Herë kështu e herë ndryshe, herë me armikun e herë kundër, por gjithmonë kundër njëri-tjetrit! (Qeveria e Ismail Qemalit, Plakut të urtë jetoi rreth një vit!)
Për Pavarësinë luftuan e u përpoqën të gjithë ata që donin të luftonin e të përpiqeshin, edhe pse secili përpiqej e luftonte për arsye të ndryshme.
Pavarësia ishte një përpjekje shumëtrajtëshe e shumëformëshe, zakonisht me ndjenja të fuqishme, me bërtitje e thirrma, por edhe urtësisht e qetësisht. Ishte një përpjekje e një luftë për të cilën, ne, jemi e do të jemi përjetësisht mirënjohës.
Për gjithçka, sa protagonistët e atyre ditëve bënë, por më shumë për gjithçka që ata u përpoqën të arrijnë...

1 σχόλιο:

Agobooks είπε...

Ardi, mirësetëgjeta edhe këtu!
Ajo që më bën përshtypje veçanërisht, përveç ...heshtjes masive për 29 Nëntorin( të mos harroj të shënoj se, shkrimin tënd e gjej të goditur dhe të shkruar me shumë kujdes),është fakti se si shumica e bashkatdhetarëve tanë që shkruajnë publikisht në internet, përdorin fjalën ....Pamvarësi! :)
Të përshëndes!