Πέμπτη 6 Δεκεμβρίου 2007

Politeknikumi dhe Lëvizja Studentore e Dhjetorit!

Politeknikumi dhe Lëvizja Studentore e Dhjetorit!
Ardi Stefa
Në 17 nëntor vendosa edhe unë një karafil të kuq tek monumenti i studentes së rënë brenda Universitetit Politeknik, Politehnios, siç jemi mësuar ta themi edhe ne pas kaq vjetësh qëndrimi në Greqi. I mallëngjyer dhe i emocionuar, me respekt u përula përpara gjakut të studentëve të rënë për t’u çliruar nga Junta e Kolonelëve.
Dola nga Politehniu dhe u ula në kafen përballë, me vështrimin gjithmonë nga monumenti dhe grumbulli i njerëzve që bënin homazhe atje, me të rinjtë e të moshuarit te vendosnin një karafil, të qëndronin pak në heshtje të menduar e të mallëngjyer, ndërsa nga altoparlantet të rinjtë e forcave të ndryshme politike, kryesisht të majta, thërrisnin për “luftë” kundër kapitalizmit dhe pushtetit...
Teksa pija kafen ngadaë më erdhën ndër mend ditët e zjarrta të Dhjetorit 1990, kur së bashku me shokët e mi studentë, i vumë gjoksin diktaturës dhe u ngritëm të rrëzonim idhujt e rremë që i pinin gjakun për 50 vjet atdheut dhe prindërve tanë...
Nga altoparlantet e Politehniut dëgjoheshin këngë e marshe të ditëve të nëntorit 1974, pak përpara se të hynin forcërisht tankset në universitet.
Dhe ndryshimet e paralelizmat midis Politehniut dhe Lëvizjes Studentore Shqiptare janë jo të pakta.
Brezi im atëhere nuk kishte këngë që ta përfaqësonin, nuk kishte himn që të kujtohej vite e vite më pas. Kishte, megjithatë, të njëjtin zjarr, forcë e vrull. Të njëjtat ëndrra. Edhe parrullat tona, ndoshta filluan me thirrjet: “Duam drita!”, “Duam ujë”, por shumë shpejt u kthyen në thirrjet që edhe sot janë kaq aktuale: “Liri- Demokraci”...
Ashtu siç thërrisnin bashkëmoshatarët tanë grekë në vitin 1974: “Liri, arsim, bukë!”...
Ashtu si në Greqinë e Juntës ushtarake në vitin 1974, kur diktatura i quante studentët, “fëmijë të këqinj e imoralë”, ashtu na quante edhe ne diktatura: “bukëshkalë”!...
Por çfarë është Lëvizja e Dhjetorit, çfarë janë ata studentë 22 vjeçarë që iu kundërvunë aq hapur e pa frikë regjimit diktatorial në Shqipëri?
Mos vallë është një përvjetor kombëtar që duhet festuar si festë e Demokracisë, apo përkujtimore në varreza? Mos vallë është kalimi nga diktatura komuniste në demokracinë urbane, kalimi nga totalitarizmi komunist, në totalitarizmin parlamentar dhe në demokracin e shtetit dhe të kapitalit?
Çfarë është sot Lëvizja Studentore e Dhjetorit, kur brezat e studentët e atëhershëm, që nuk kanë një monument, nuk kujtohen fare, bile tallen prej të gjithëve, dhe brezat e sotëm sa vijnë e po largohen prej atyre idealeve të studentëve të uritur për lirinë e demokracinë të vitit 1990?
Ishte revolta spontane e një brezi të ri që kishte etje për liri e drejtësi, për bukë, ujë e drita, për liri fjale e veprimi. Ishte një brez studentësh, të cilët të paarmatosur, por edhe të vendosur morën përsipër të shplanin turpin e një vendi që në heshtje dhe në humbje, qeverisej për pesëdhjetë vjet nga diktatura shkatërrimtare komuniste. Djem e vajza të prindërve të Shqipërisë, nga familje të varfra, por edhe nga familje të “mira”, nga familje të humburish nga paslufta e 1944-ës, por edhe nga familje fitimtarësh, ishin për pak ditë të lirët e rrethuar të historisë sonë bashkëkohore shqiptare...
Dikush më shkruajti se Lëvizja Studentore e Dhjetorit nuk jeton më.
Iu përgjigja se ajo Lëvizje jeton, thjesht nuk i frymëzon më brezat që kanë ardhur pas nesh, as edhe ato që e përjetuan me ne...
Nuk frymëzon më as brezat e studentëve që na pasuan në bangat e fakulteteve, neve studentët 22 vjeçarë që nuk pyetëm për klithmat e plumbat e regjimit...
Teksa pija kafenë dhe shikoja të rinj e të moshuar të bënin homazhe tek Politehnio u kujtova se sivjet mbushen 17 vjet që atëhere. Protagonistët e atëhershëm, sot janë dyzetvjeçarë, pothuajse. Ca pak prej tyre janë ca kokrriza në jetën e turbullt politike dhe sociale të Shqipërisë. Janë po ata që përfituan para e pushtet në çdo lloj mënyre, që falsifikuan ngjarjet e historinë dhe me dëshmi të rreme të dhëna nga “Partia- mëmë” u vlerësuan për “aktet” e trimërisë që bënë!...
Shumica e protagonistëve të vërtetë janë mënjanë, në heshtje dhe me siguri që pyesin veten se sa dhe si Lëvizja e tyre u vlerësua e mori për mbarë...
Vitet e para Politehniu i mallëngjente dhe i bënte për vete të gjithë grekët.
Lëvizja Studentore e Dhjetorit na bënte vetëm neve të jetonim edhe një herë në heshtje ato ditë. Protagonistët e vërtetë ishin lënë mënjanë, të tjerë, protagonistë të rremë flisnin nëpër takime e tubime.
Dhe përvjetoret e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit, të cilat duhet të ishin një festë e Demokracisë janë bërë një paradë komike ku të gjithë përpiqen të flasin e të vënë në dyshim idealet e vërteta që një brez djemsh e vajzash 22 vjeçarë bëri politikë me fjalë, me këngë, me shpirtin dhe, mbi të gjitha, me trupin e tyre të njomë e të drobitur nga uria. Një brez që zgjoi një popull të tërë nga gjumi letargjik e që vrau frikën. Një brez 22 vjeçarësh që rrezikuan jetën, studimet, për të fituar një çast që jeton përgjithmonë. Dhe ajri i lirisë që atëherë frynte në Tiranën e acartë në të gjitha shtëpitë, edhe në ato shtëpi që rrinin të kyçura kur dëgjoheshin thirrjet e studentëve, sirenat e makinave të policisë, apo edhe kur sambistët rrihnin me shkopinjë gome bashkëmoshatarët e tyre, nuk i çelnin dyert për të mbrojtur djemtë e vajzat e reja, nuk kishte se si të mos përqafohej nga një popull i tërë.
Kanë kaluar 17 vjet nga ditët e stuhishme të atëhershme. Ditët janë si varkat, herë u jep rremave që të shkojnë para e herë lundrojnë të shtyra nga valët. Por nuk ka asnjë rëndësi “Se çfarë u bë me protagonistët e Lëvizjes Studentore Shqiptare”, një tjetër çështje kjo, që i shqetëson herë pas here njerëzit në bisedat e tyre.
Cilët morën shpërblimin për trimërinë e tyre në ato ditë të zjarrta të Dhjetorit 1990 dhe cilët jo, cilët përfituan në mënyrë të padrejtë e të gënjeshtërt pa qenë protagonistë, cilët më pas u bënë shërbëtorë të pushtetit dhe preferuan të jepnin e të merrnin rryshfete, cilët zgjodhën rrugën e heshtjes dhe të dinjitetit që për atdheun bënë pak dhe nuk ka nevojë për shpërblim, dhe, cilët zgjodhën rrugën e tradhtisë së idealeve, kuptimit të atyre ditëve dhe të moshës së tyre?
Por të gjitha këto kanë pak rëndësi. Thua se revolta studentore e vitit 1990 nuk ishte revoltë, por një eksperiment gjigand i psikologjisë për studimin e sjelljes njerëzore.
Vlera e vërtetë e Lëvizjes Studentore Shqiptare është pikërisht kjo: se u bë nga njerëz të zakonshëm, studentë vërtet, por të nxjerrë nga jeta e përditshme. Nga njerëz në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me ndjenja dhe ëndrra, delikatë, nga njerëz që ishin të uritur për jetë, për famë e lavdi, që kishin pasione. Nga njerëz që bëjnë gabime, që pendohen, njerëz të dobët e që s’kanë busull orientimi shpesh herë, nga idealistë të vërtetë, por edhe aventurierë, nga njerëz të vdekshëm e mëkatarë dhe jo nga statuja...
Dhe, nëse vlen akoma edhe më shumë stuhia e Lëvizjes së Studentëve, kuptimi që ka kjo lëvizje për brezat e ardhshëm është se kjo revoltë për një çast, për dy çaste, për një, dy apo dhjetë ditë, ata të rinj u ngritën më lart se EGO-ja, UNI i tyre, dhe kështu, të lirë u bënë krijuesit e historisë së tyre dhe të historisë sonë. Me pak fjalë: Studentët ishin atje atëherë kur duhej. Ç’pasoi është tjetër histori...
Prandaj, çdo vit në këtë ditë dëgjohen shumë fjalë nga shumë pseudo. Megjithëse protagonistëve të vërtetë të Revoltës Studentore Shqiptare u shkon më mirë heshtja. Heshtja e njohjes dhe e respektit për atë që bënë e që sado vite të kalojnë do të ngrihet gjithnjë e më lart në Panteonin e Historisë.
Prandaj llafologëve e pseudove, përpara se të nxjerrin fjalët bombastike nga goja, mirë do të ishte që të mendonin për një çast, është detyrim moral të mendohen për një çast dhe të pyesin veten nëse: “Liria, Demokracia, buka e dritat, mjaftojnë për të gjithë”...
A mjaftojnë për të gjithë ato që kërkuan atëherë studentët e mburremi se tashmë i kemi?...
A mjaftojnë këto për një shoqëri, që ecën pa busull, pa ëndrra, pa shpresë, siç është shoqëria e sotme shqiptare?
Këto ditë zakonisht thuhet se Lëvizja Studentore e Dhjetorit jeton brenda ndeshjeve e përpjekjeve për liri, demokraci, etj, etj...
Gabim, pasi ajo lëvizje nuk mundet të jetojë brenda heshtjes së vdekur të shoqërisë inerte. Nuk mundet të jekzistojë e jetojë si një kapitull i veçantë në historinë e themelimit apo të fitores politike të një partie, apo të atyre që manipuluan në mënyrë monstruoze atë Lëvizje për të përfituar, por që në fakt, e dëmtuan aq shumë imazhin e saj. Nuk mundet edhe të vdesë, pasi edhe kjo mënyrë të jetuari dhe të shkruarit të historisë është e destinuar të përmbyset. Sepse historia është e thënë që të përsëritet... Çështja është se nga cilët do të shkruhet dhe si...
Ja pse Lëvizja e Dhjetorit dhe Politehnio kanë ndryshime e të përbashkëta...