Τρίτη 25 Δεκεμβρίου 2007

(Për) shëndetje




(Për) shëndetje


Ardi Stefa
E vërteta është se nuk më pëlqejnë përshëndetjet... As edhe ndarjet...
Sidomos ato që bëhen në fund të vitit...
Ato shtrijnë më tepër në kohë mungesën dhe nostalgjinë..., përpara se ato (jo më kot janë të gjinisë femërore) shfaqen në horizont ose thjesht na dalin përpara...
Në të njëjtën kohë dëshmojnë dhe tregojnë vlerën e atyre që kanë me të vërtetë vlerë dhe si të tilla të dhembin kur i humbet..., qoftë edhe përkohësisht.
Nuk ka rëndësi në ikën dikush për një, dy, katër muaj, apo përgjithmonë ...
Rëndësi ka që ikën diçka që është shumë familjare, diçka që të eksiton, diçka që të krijon ndjenjën e kënaqësisë...
Unë largohem që të shoh e njoh të tjerë njerëz, të tjera vende..., të tjera klima. Shpresoja se sivjet dimrin do ta kaloja e shijoja me miq të rinj, në ndonjë vend e ambient të nxehtë, duke pirë verë e duke dëgjuar muzikën që më pëlqen, ndoshta diku përpara edhe drita e një vatre të ndezur... dhe jashtë, ah, jashtë të bëjë ftohtë, shumë ftohtë..., që të kenë ato çaste sa më shumë nxehtësi, diçka më tepër ngrohtësi.
Shpresoj që në shkurt të vazhdojë të bëjë ftohtë! Sepse sivjet në verë u ndjeva jashtëzakonisht përtac dhe më kapi një ndjesi lodhjeje dhe pakënaqësie. Mirë apo keq nga fundi i dhjetorit (i cili nuk ishte fare i ftohtë), dhe deri në janar do të jem, diku, në vende të tjera me klima të tjera, ende të nxehta...
Natyrisht që për dikë, i cili është jashtë kësaj, kjo gjë ndoshta do t’i jehojë si diçka tepër e lakmueshme dhe ideale nëpër veshë,..., por natyrisht, e sigurtë është fakti që secili kërkon të ketë atë që nuk ka, që ndoshta nuk do ta ketë ndonjëherë.
Ç’ironi!
Komplekse ndjenjat...
Bëj diçka që e ëndërroja dikur, kur isha i vogël..., diçka që përjashtohet, ose luftohet paksa nga mendimet e mia, tashmë “të pjekura” për shijimin e atyre që janë të “sigurta” dhe, përsëri,... të sigurta!
Ndoshta të gjitha këto do të ndryshojnë me kalimin e kohës dhe më pëlqen e gjithë kjo skenë, por, ky vend gjithmonë diçka më thotë...
Pasi nuk është gjithmonë vendi, por njerëzit që e “stolisin”, e thënë në shqip “e zbukurojnë”.
E njëjta gjë më ndodhi edhe në Vlorë, nga ku, kur ika, e gjithë jeta ime, kujtimet dhe çmenduria që mbartja, u mblodhën dhe u futën nëpër kutira kartoni e çanta lëkure të lirë. Nëpër kutira që zinin 0,3333 të metrit kub (e kisha përllogaritur që të mos më merrnin shumë para për transportin në autobus).
Apo edhe kur isha në Maratonë, që pashë shumë të njohur të hershëm, ku u takova me njerëz të dashur, të cilët kur i shoh, më duket se i kam parë edhe dje dhe e vazhdojmë bisedën aty ku e kemi pas lënë... Edhe pse kanë kaluar shumë vite...
Nuk ka rëndësi..., nuk ka rëndësi se sa shpesh komunikon me dikë...
Rëndësi ka që kur e sheh mbushesh e mbushet me gëzim...
Përgjithësisht nuk kam ankesa, (mos u gënjeni, i mbaj përbrenda)...
E përsëris, përgjithësisht nuk kam ankesa..., në të gjitha vlerësimet dhe riorganizimin e jetës sime, dhe, në rast se do ta bëja, veçanërisht në këto 10 vitet e fundit, do të konkludoja se kam jetuar një jetë të mbushur me ngjarje...
Se kam jetuar një jetë të plotë dhe, deri tani, jam përgjithësisht i ngopur..., nga pamje, njerëz dhe përvoja, aroma, melodi, buzëqeshje, dashamirëse apo edhe urrejtjeje, enigma...
Natyrisht do të dëshiroja të kisha edhe të tjera, por edhe në rast se nuk do t’i kem, përsëri, të mbushur do ta shoh gotën, jo gjysmë të mbushur...
Jam mirënjohës për të gjitha këto,..., thjesht ndonjëherë nuk mundem të mbushem më me asgjë dhe më kap melankolia..., sikur një valvul sigurie të ekzistojë në shpirtin tim, për të mos shpërthyer dhe të kemi të tjera më pas...
Do të komunikojmë prej faqeve të Blogut, pra!
Me të vërtetë që përtoj të shkoj diku tjetër, pavarësisht se e dëshiroj aq shumë një ndryshim rrënjësor në jetën time...
Me të vërtetë që përtoj të shkoj diku tjetër, përveçse po ndodhi ndonjë mrekulli, të cilën e pres...
Ndonjë mrekulli, e cila të më çojë diku, pa kaluar nëpër ambasada për të marrë viza, apo të kaloj nëpër intervista për të m’u miratuar viza e të largohem që këtej...
Nga 1 janari 2008, ardistefa.blogspot.com, në rast se nuk do ta ketë mbyllur ciklin e vet, do të kthehet përsëri në “histori të qytetit, emigrantëve, njerëzve. Në histori të të gjithëve dhe të askujt!”.
Ende nuk e di nëse dëshiroj që “blogu” të mbyllë ciklin dhe unë të jem diku larg. Deri atëherë...
I kalofshi gëzuar festat e fundvitit!...
Mirupafshim...


2 σχόλια:

Ανώνυμος είπε...

Kalofsh mirë dhe me njerëz që do dhe të duan!

ardi stefa είπε...

faleminderit Niko!
uroj të kesh edhe ti ato që dëshiron. ardi