Σάββατο 15 Δεκεμβρίου 2007

Mendimet e një ateisti këto ditë të fundvitit

Mendimet e një ateisti këto ditë të fundvitit
...Herën e fundit midis turmës që priste më treguan dikë me emrin Jezu Krisht. Thuhet se për të prej kohësh janë bërë të gjitha ndërhyrjet e mundshme, madje i këndohen hymne dhe shenja e tij që shndrit sipër katedraleve tregon se nga të gjithë ne, ai është, pa dyshim, më i prituri atje në tokë. Megjithatë duket se as ai s’ka ndonjë shpresë kushedi çfarë. Vërtitet si të gjithë përpara Murit, tregon që larg shenjat e gozhdëve me të cilat e kanë kryqëzuar, por rojat shtiren sikur s’e shohin. Ose, siç është dyshuar qyshkur, janë vërtet pa sy...

Këto fraza të tregimit “Muri i madh” të Ismail Kadaresë më janë vërtitur gjithnjë e më shumë nëpër mend këto ditë, duke shkuar e duke u kthyer nga puna me Autobusin e orës 05.00.
Herët në mëngjes, kur ata që i falen një Zoti apo Birit të Zotit me fytyrë e pamje të përvuajtur, të një Zoti të ulur këmbëkryq e trashaluq, apo edhe ata që i falen një Profeti, pamja e të cilit, ndalohet që të imagjinohet, pikturohet apo ravijëzohet nëpër skica, me fytyra të përgjumura gjallërohen disi kur shohn rrugët e vitrinat e zbukuruara. Ato fraza të tregimit më kujtohen këto ditë, kur secili kërkon kuptimin e këtyre festave.
Dhe as myslimanët, as kristianët ortodoksë, as budistët, as edhe ateistët, nuk mundet të mbyllin sytë përpara vuajtjeve, mjerimit dhe vdekjes, sidomos, në këto ditë festash, në këto ditë të fundvitit, kur edhe rrugët, edhe dyqanet janë të zbukuruara e mijëra llambushka që fiken e ndizen krijojnë atmosferë gëzimi e angushtie e melankolie në shpirt.
Nuk mundet të mbyllin sytë kur në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve sheh fëmijë që vdesin nga uria, nga plumbat, nga sëmundjet, braktisja e indiferenca. Kur sheh me qindra fëmijë që keqtrajtohen nëpër semaforë, që përdhunohen nëpër parqe e lulishte, që përdhunohen brenda shtëpive të tyre.
Ata fëmijë, të cilët duan, por nuk munden të gëzojnë. Që e shohin gëzimin e bashkëmoshatarëve të tyre, që e shohin gëzimin e mbarë Athinës dhe duan të marrin pjesë në të, dhe s’munden. Që kuptojnë se ka festë nga dyqanet e zbukuruara. Që janë të vetëm, të uritur e të rreckosur, të mbërdhirë e të lodhur poshtë pemës së Vitit të Ri në sheshin Sintagma, apo nëpër sheshet e gjithë botës. Janë ata, që nëpërmjet syve të vogëlushëve të tjerë ëndërrojnë për dhuratat, pemën e Vitit të Ri, ngrohtësinë e një shtëpie dhe përkëdheljen e prindërve, ndërsa lypin, u shesin lule, shkrepëse, apo sende të ndryshme kalimtarëve dhe shohin me zili lodrat në duart vogëlushëve të tjerë të lumtur. Janë ata që ëndërrojnë një festë të vërtetë dhe e ndiejnë veten të braktisur e të plagosur... Fëmijë të varfër me ëndrra të varfra. Që këto ditë të festave përpiqen të fshijnë lotët dhe të mbysin dhembjen...
Të rritur përpara kohe. Me besimin e humbur, por me dëshirën që të besojnë...
Apo?... Dhe rastet që mundet të sjell si shembuj janë të pafundme...
Dhe, megjithatë, njerëzit kërkojnë kuptimin e këtyre festave të Fundvitit...
Mijëra vjet njerëzit kishin me qindra arsye për të bërë luftëra dhe për t’u vrarë të tjera veç atyre fetare. Më duket se kur fitimtari i vetëm ndaj Romës dhe më pas Shën Konstadini, kur u përball me ushtritë e Tiberios, kishim të bënim me luftën e parë fetare në historinë e njerëzimit, me të parën “luftë të shenjtë” në Histori.
Më pas, me daljen në skenë të Islamit dhe të luftërave të tij me mbretëritë kristiane, feja do të bëhet e vetmja arsye luftërash në Mesdhe dhe në Evropë, për mëse 1000 vjet, me Xhihad nga njëra anë dhe Kryqëzata nga ana tjetër. Do të pasonin luftërat “civile” ndërmjet vetë kristianëve, shteteve kristiane ose dogmave të ndryshme brenda kristianizmit. Jo të pakta ishin luftërat ndërmjet katolikëve e protestantëve.
Me Revolucionin Francez supozohet se Evropa dhe bota në përgjithësi do të ishte modernizuar, se luftërat dhe gjakderdhjet masive do të bëheshin për arsye më të “mëdha”, si për krenarinë kombëtare, demokracinë, socializmin, imperializmin, racizmin, zotërimin ekonomik, etj, etj... Dhe befasisht rilindja politke e islamizmit e sjell përsëri fenë si arsye lufte në historinë e njerëzimit.
Nuk ma merr mendja se magjistarët persë që nxitonin atë mbrëmje të ftohtë dhjetori t’i jepnin dhuratat Birit të Zotit që sapo kishte lindur në Vithleem, i kishin parashikuar të gjitha sa them më lart. Dhe pyes veten nëse janë mashtuar engjëjt që e festonin Lindjen e Birit të Zotit, duke kënduar himne e ditirambe për atë që do të sillte më së fundi paqen në tokë. Dhe e pyes përsëri veten si u mashtruan kështu engjëjt, pse Zoti i vetëm i kristianëve dhe i myslimanëve, u bë shkaktar për kaq e kaq luftëra në botë? Në qoftë se nuk ishte shkaku, të paktën ishte justifikimi. Ndoshta mos vallë fetë monoteiste janë fe intolerante, pasi e ngërthejnë pluralizmin e të vërtetave dhe shkaqeve, në një Zot të vetëm dhe të vërtetë, i cili vetëm dhe vetëm ai mundet të ndëshkojë dhe të shpëtojë?... Shpëtimi i shpirtit dhe jeta e përjetshme kur jepen si shpërblim dhe për vdekjen e drejtë, janë shkaqe të forta për luftëtarët e vërtetë. Por as kamikazët japonezë e as bombat e gjalla njerëzore në Palestinë apo Bagdad s’janë krijime të feve monoteiste. Vdekja, ana e errët e njerëzimit, mundet të përballet dhe të kërkojë pjesën e saj përballë dritës së jetës për mijëra arsye.
Por errësira nuk mundet të fitojë mbi Dritën- ky është mesazhi i Krishtlindjeve, këtë himnizojnë kristianët edhe pse feja dhe lindja e Birit të Zotit është përdorur si justifikim për dhunën dhe vdekjen. Jo më kot Krishtlindjet janë vendosur në dhjetor, në ditët kur dielli fillon të rrotullohet ndryshe dhe të dërgojë më tepër dritë në planetin tonë. Errësira tërhiqet, shpresa lind përsëri e përsëri, megjithëse shumë fatkeqë janë mbytur këto ditë të shenjta në detet e brigjet e Greqisë, janë vrarë apo përdhunuar nga maniakët e çdo lloji, janë braktisur apo e kanë ndier shkelmin e atyre që i rrethojnë në çdo ditë e çast të jetës së tyre...
Paqja dhe mirëkutimi janë ende lart në qiell, e mbajnë peng engjëjt atje lart akoma...
Këto mendime më shkonin nëpër mend duke shkuar në punë herët në mëngjes, nëpër rrugët e pandriçuara të Leoforos Aspropyrgos. Natyrisht që ato ç’ka mendoja unë ishin të huaja për shqiptarët, grekët, rusët e pakistanezët; bashkëudhëtarët e mi në autobusin e mëngjesit.
Por ndoshta po t’i dinin do të ishin të një mendjeje me mua...
Gjithsesi: ATI ynë që je në Qiell...
AMEN...

Δεν υπάρχουν σχόλια: