Κυριακή, 23 Δεκεμβρίου 2007

Përmbi atdheun ç’kemi?

Përmbi atdheun ç’kemi?
Sprovë për një esse jo fort patriotike
Nga ARDI STEFA
“Tani për ju të dashur dëgjues do të japim programin me këngë patriotike: “Dua më shumë Shqipërinë”... E hapim programin me..”
Idiotësira, mendoi dhe me një lëvizje të vrullshme tërhoqi spinën e radios, sa që bashkë me të u përplas në shesh dhe u thye me zhurmë edhe priza e zezë prej bakeliti. Nuk ishte nervoz, megjithatë i pëlqeu që bëri një akt të natyrshëm, të cilin do ta dëshironte çdo producent teknik në realizimin e serialeve televizivë. Tani radioja heshtte zhurmshëm para tij, ndërsa ai zhurmonte heshtur para radios. S’ishin njësoj. Radioja në pritje të elektriçistit për të vazhduar dërdëllitjet, në formë këngësh patriotike për atdheun; ndërsa ai i veshur mirë, i larë e i krehur, në pritje për të dalë dhe me duart që i vareshin. Elektriciteti i mendimeve e bënte të heshtte.
Kishte qenë një javë e ngarkuar edhe për të, një qytetar me të drejta të plota i Republikës së Shqipërisë, me pasaportë të rregullt, i paarrestuar, pa patentë. Një javë që shkonte nga mitingu në miting. Sezon fushatash. Kishte marrë lejen e zakonshme, por i pamartuar siç qe, i palidhur me ndonjë femër, e kishte kaluar në mitingje të thata. Sot kishte dy të tillë, por ai s’do të shkonte asgjëkundi. Dje, natën, kishte bërë një zbulim të çuditshëm, që sot po e shqetësonte pa ndërprerje. Kishte frikë të dilte përjashta. Zbulimi i shihej kudo, në flokët e krehur çuditshëm, në pantallonat për herë të parë “jeans”, në këmishën e pahekurosur, që i varej jashtë pantallonave, në lirshmërinë, që s’e karakterizonte. Kishte frikë të shkonte tek psikanalisti. Do ta përcillte me diagnozën e njohur: “Krizë personaliteti”.
Më në fund guxoi të dilte...
...Kishte kohë që ecte i qetë, por papritur një këpucë e vetme, e vjetër, e hedhur poshtë, e bëri të rizbulonte zbulimin e madh. Ai i përkiste Republikës së Shqipërisë. Republike me 28.000 kilometra katror sipërfaqe dhe tre milionë e gjysmë banorë, plus një milion emigrantë dhe gjysmën e trojeve jashtë kufijve shtetërorë. Ai i përkiste Republikës së Shqipërisë, ashtu siç mund t’i përkiste asaj të Italisë, ose fare mirë asaj amerikane, gjermane jo, ose ndonjëës afrikane. Po. Mjafton të kishte lindur atje. Dhe tani s’do të qe këtu, por në një vend tjetër. Ja që lindi këtu. S’ishte faji i tij. As i prindërve. Ndoshta fati. Ndoshta. Gjëra që ndodhin. E megjithatë ai nuk kuptonte përsëri gjë nga thirrjet e ngjirura dhe të pangjirura nga tribunat. Shqipëria qe e tija. Pse? Ajo qe mbi gjithçka. Pse? Ta bëjmë për Shqipërinë. Pse? Për Shqipërinë japim dhe jetën. Ohuuu. Në fund të fundit gjithçka për një vend, si të gjitha vendet në rruzullin tokësor, që dikush fare rastësisht e pa na pyetur i vuri emrin Shqipëri dhe jo Honolulu apo Ugandë. E ç’ndryshim ka? Ç’ndryshim ka nëse unë jetoj në të ose jashtë saj? (Ah, këtu ka një ndryshim jo të vogël). Fati im. Ndoshta është lidhur me këtë vend para se të lindja unë. Gjithmonë kam qenë pa fat, mendoi. Fati apo mallkimi i tij?
Ndërsa nga tribuna vazhdonin të kujtonin luftëra, beteja, gjak, të lindur e të palindur ende, të vrarë apo të burgosur, martirë të gjallë apo të vdekur.
Çudi! Gjatë gjithë jetës së tij s’kishte parë asgjë nga këto. Ah, gjak kishte parë, kur therreshin pulat e detit për Vit të Ri. Kishte parë edhe një herë tjetër kur tribunashët ngritën turmat të merrnin pushkët e të vrisnin njëri-tjetrin. I kujtonin stërgjyshërit. Vallë kishin jetuar ata?... Dhe përse mburreshim vetëm e vetëm me ata që kishin vdekur. Ne jemi komb patatesh, mendoi ai. Se ashtu si patatja që pjesën e vet më të mirë e ka nën tokë, edhe ne mburremi me gjyshërit, stëlrgjyshërit e katragjyshërit që kanë shekuj nën tokë.
... Mos vallë edhe në botë mendohet kështu, duke himnizuar një vend, qoftë edhe të bukur, për ta kthyer në mit? Kaq gjë vetëm për një vend? Po njeriu? Mbase përmbi gjithçka kemi atdheun, por përmbi atdheun ç’kemi? Vërtet asgjë? Jo. Çdo gjë e bukur njerëzore është përmbi një copë tokë, qoftë kjo e quajtur edhe Shqipëri. E himnizojmë tokën, pa pyetur për njeriun e thjeshtë, për botën e tij, për dhembjen e tij të përditshme. Është dhembje të rrosh, e megjithatë ata që vrasin veten janë të pakët. A nuk është kjo për t’u himnizuar? Janë këto gjëra që i bëjnë njerëzit të jenë të huaj. Pa mendoni një vend të madh, të pakufishëm, që quhet univers, ku çdo qenie e gjallë të jetë qytetar i DHEMBJES NJERËZORE, ndoshta i DASHURISË NJERËZORE, ndoshta i së BUKURËS. Çdo njeri të ketë njeriun përmbi gjithçka. Ndoshta s’e ka fajin Kulla e Babelit pse s’kuptohen njerëzit. Ndoshta fajin e kemi ne. E kanë Shqipëritë, Italitë, Amerikat. Pa fat që jetojmë në këtë kohë...
... Mbrëmje. E kishte kaluar ditën fare kot. I ulur në një stol, nën hijen e një xhamie, me një kishë përpara dhe me diellin që kushedi ç’prestigjiatorë e kishin kthyer në hënë të verdhë si vrer. Ndihej plot. Përmbi të gjitha kemi Shqipërinë. Njeriu mbi gjithçka. Dua më shumë Shqipërinë. Është dhimbje të rrosh. Shqipëri atdhe i dashur! Do të vazhdonte të jetonte i vetëm? Sa të dua, o Shqipëri! Sa kohë kishte kaluar nga dashuria e fundit? O hallemadhja ime shekullore!... Qytetar i së BUKURËS NJERËZORE. Për ty atdhe! Duhet të mësohej të jetonte pa të. Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë. I vetëm me dhembjen e tij! Prej lufte kush largohet! Qytetar i DASHURISË NJERËZORE! Përmbi të gjitha...
Përmbi të gjitha, pa pyetur as për Shqipërinë, as për të, as për dhimbjet dhe dashuritë e tij, toka vazhdonte të rrotullohej rreth diellit dhe rreth vetes me po atë shpejtësi të 3 milion viteve më parë dhe tre milion vite më pas, ai nuk do të jetonte, të krahasonte shpejtësinë e tokës me të tanishmen... Mbrëmje...
Mitingjet kishin mbaruar... Edhe antimitingu i tij...
... Vuri radion në prizën e ngjitur si mos më keq. “Tani për ju të dashur dëgjues do të japim programin me këngë nga grupi LIRA, i Korçës: Dua më shumë Shqipërinë. E hapim programin me...”
S’kishte kaluar asnjë çast...

1 σχόλιο:

Ανώνυμος είπε...

While I surf blog , i found a all new trick in http://pic-memory.blogspot.com/

Vistor can comment and EMBED VIDEO YOUTUBE , IMAGE. Showed Immediately!
EX : View Source.
http://pic-memory.blogspot.com/2009/02/photos-women-latin-asian-pictu...
(add photos and videos to Blogspot comments).
Written it very smart!
I wonder how they do it ? Anyone know about this , please tell me :D
(sr for my bad english ^_^)

email: ya76oo@ya76oo.com
thanks.