Κυριακή, 23 Δεκεμβρίου 2007

Kam një përgjigje! Kush ka një pyetje?!...

Kam një përgjigje! Kush ka një pyetje?!...
Nga ARDI STEFA
Ky shkrim fare mirë mund të fillonte me fjalët: Çfarë pyesin përgjigjet?
Qofsha i gabuar, por mua gjendja e shqiptarëve dhe e Shqipërisë së sotme më kujton një shprehje-sentencë të dëgjuar s’di se ku: “Kam një përgjigje! Kush ka një pyetje?!...”
Nuk mund të karakterizohet më qartë situata e sotme. Jemi të mbushur me përgjigje. Pyetjet janë të rralla. Shumë të rralla. Inekzistente. Dhe meqënëse të gjithë kemi përgjigje ndërtojmë pyetjet sipas përgjigjeve të gatshme që kemi. Dhe meqënëse të gjithë duam të imponojmë përgjigjet tona, ndërtojmë lehtësisht pyetjet që kemi qejf.
Çfarë është atdheu ynë?
Pavarësisht se ato ç’ka do të them më poshtë mund të skandalizojnë shumë vetë, kam bindjen se askush nuk e bën më këtë pyetje sot. Të gjithë kanë ndërtuar një përgjigje të lehtë dhe e thonë gjithandej me zë të lartë e me bindje të thellë. Dhe e mbartin përgjigjen e tyre kudo. Si masë sigurie, si masë mbrojtëse. Të thonë, pra, se atdheu është flamuri, gjuha, historia, gjaku i derdhur e ai që do derdhet, të rënët e ata që do bien në të ardhmen. Të përgjigjen sipas momentit e si u do qejfi. Askush nuk e pyet veten, gjatë pyetjes së tij, se mos vallë atdheu i shekullit të kaluar nuk është i njëjti me atë të shekullit që sapo hyri. Askush nuk e pyet veten nëse atdheu dhe Shqipëria e Skënderbeut është e ndryshme me Shqipërinë e sotme?!
Të gjithë janë superpatriotët e kombit. Të gjithë tregohen të gatshëm të hidhen në zjarr e në flakë për atdheun. E gjithë kjo gatishmëri e tyre më kujton rastin e atij pallatit pesëmbëdhjetë katësh. Banorët e kateve të para ankoheshin se nga plehrat e mbledhura stivë qelbeshin erë e miza. Ndaj donin të mblidhnin të gjithë para që të hiqeshin pehrat e të pastrohej ambienti. Ata që banonin në katet e sipërme kundërshtonin të paguanin, pasi nuk u shkonte aq lart as era e as mizat.
Ndërkohë që banorët e kateve të sipërme kërkonin të mblidhnin para për rregullimin e ashensorit të prishur, me pretekstin se ata nuk e përdornin fare ashensorin, kundërshtonin banorët e kateve të para.
E tillë është gjendja sot. Të gjithë ulërasin për atdheun e demokracinë e s’pranojnë dy rrugët e vetme: Dialogun e Kompromisin. Të gjithë të shesin moral gjithë ditën e ditës e sapo kthen shpinën të nxjerrin gjuhën një pëllëmbë. Të gjithë vërtitemi në konfuzionin e shkretëtirën tonë karakteristike morale. Dhe flasim për atdheun. Flasim me mendësinë e rajasë provincial, të të varurit përjetësisht nga qendra. Flasim me mendësinë e atyre që flasin për atdheun e që në fakt, s’kanë atdhe. Sepse njëherë për njëherë jemi pa atdhe. Sepse atdheu im s’mund të përfaqësohet kurrë as nga një copë flamur, as nga një parlament aksidental, as nga ca politikanë të korruptuar e inkriminuar, as nga një Skënderbe mbi kalë... Atdheu bie era tokë...
Në këto kohë kaq të vështira...
Që të jem i sinqertë, kurrë nuk e kam kuptuar se përse atdheu e ne gjendemi vazhdimisht në rrezik.
“Në këto kohë të vështira...”- na thoshin në shkollë me bindjen sadiste se kohët janë gjithmonë të vështira. Një autosadizëm e mazohizëm i paparë. Një vetë kamzhikim i paparë, po ashtu. Tani e kuptoj që shpjegimi për këtë dilemën time vjen nga një përgjigje: “Duam të shpëtojmë atdheun tonë...”
Shumë e drejtë, por kush na kërcënon? Thelbi gjendet në ekzistencën e kërcënimit. Dhe fakti përqëndrohet në pyetjen. Kryesisht kur disa fshihen pas pyetjeve retorike, pas pyetjeve që janë përgjigje. Dhe çfarë pyetjeje i japim përgjigje kur s’ka fare pyetje?
Apo mos vallë vlen të përmendim përsëri e përsëri shprehjen e famshme të Faik Konicës: “Armiku më i madh i Shqipërisë janë vetë shqiptarët!...”
Natyrisht, gjithkush është i lirë të japë përgjigjet që dëshiron. Për atdheun do të ishte më me vlerë të bëheshin më parë pyetjet. Jo sepse përgjigjet do të jenë domosdoshmërisht të ndryshme. Por sepse do të dimë me qartësi se ç’gjëje i japim përgjigje...

1 σχόλιο:

Ανώνυμος είπε...

shkrim për Pulitzer