Κυριακή 23 Δεκεμβρίου 2007

Bohemian Dream




Bohemian Dream
Për bohemët që kanë respekt pë vetveten dhe që duan një vend pranë fantazmave të tyre

Deri në vitin 1902 godina dymbëdhjetë katëshe e stilit barok, në rrugën 23, ishte godina më e lartë e Nju Jorkut. E ndërtuar në vitin 1883, në qendrën e atëhershme teatrore qytetit, përbënte një eksperiment të vazhdueshëm banimi. Një bashkësi qiraxhinjsh, shfrytëzonte dyqanet e kateve të para dhe të dyta, për të nxjerrë shpenzimet e mirëmbajtjes së godinës.
Shenja dalluese ishin dhomat e larta, ballkonet prej hekuri dhe tullat e kuqe. Krizat ekonomike të fillimit të shekullit të njëzetë, e detyrojnëbashkësinë eqiraxhinjve të shpallë falimentin dhe që atëherë godina më e lartë e Nju Jorkut kthehet në një hotel, me një emër, i cili do të shndërrohej në një mit të gjallë- Chelsea Hotel.
Që nga viti 1910, shkrimtari Mark Twen do të jetë banues i përhershëm i Chelsea Hotel, gjatë kohës që ishte në Aschan School. Shumë studentë të kësaj shkolle do të jenë banues të hotelit. Në vitet ‘20- ’30, një numër shumë i madh aktivistësh, kryesisht trockistësh dhe stalinistësh, e kanë Chelsea Hotel, vendin e tyre të dashur të banimit dhe të takimeve. Vijnë edhe shkrimtarët. I pari ishte Tomas Wulf që për muaj të tërë do të shkruante romanin e tij. Në vitin 1940, Chelsea Hotel ndryshon drejtuesit. Një tregim i çuditshëm i Stjuart Kloe për të mbijetuarit e një lufte bërthamore, të cilët janë në bodrumet e hotelit do të ngjallë diskutime të mëdha.
I madhi Dilan Tomas do të vijë të banojë në këtë hotel në vitin 1953, ku edhe do të lërë frymën e fundit tre vjet më vonë.
Nuk është poeti i fundit që do të banojë atje, as edhe i fundit që atje do të vdesë.
Ngadalë- ngadalë, antikomunistët e rinj, aktorë e artistë të ndryshëm, që vijnë në Nju Jork për të fituar vendin e tyre në qiell, e konsiderojnë hotel cult, si një ndalesë të domosdoshme në karrierën e tyre artistike. Muzikantë të xhazit, piktorë, poetë, sharlatanë, vërtiten dhomë më dhomë, marrin drogë, shkruajnë muzikë, poezi.
Chelsea Hotel është një pjesë e antikulturës së po shfaqet në horizont.
Në vitet ’60 banon në hotelin e famshëm cirku i Andi Wuorholl. Do të xhirohet edhe një film, Chelsea Girls, do të shkruhet një këngë me të njëjtin titull.
Chelsea Hotel do të bëhet pjesë e mitit të muzikës rrock. Tashmë në dhomat e saj i gjen të gjithë. Bob Dilanin të kompozojë, Xhimi Hendriks të shpohet me shiringa për të marrë drogën, Mik Xhager dhe Marian Feiful në kohën e dashurisë së tyre të madhe. Të gjithë tipat e karakteret i gjen atje. Homoseksualët që gjuajnë qiraxhinjtë e hotelit, grupet e mëdha që banojnë atje e projektojnë të ardhmen e tyre e të veprës së tyre. Leonard Koen do të shkruajë këngën e famshme “Chelsea Hotel #2”
Edhe pse është shuar dekada dhe yjet e saj, hoteli ka diçka që tërheq çdo krijues të ri me shpirt të shqetësuar e shpesh herë autokatastrofik, që vërdalliset në Nju Jork.
Muzika pank shpërthen e njeh suksese të mëdha dhe Pati Smith me Ramonët, janë VIP-ët e rinj. Sind Visius dhe Nansi Spangen do të shenjojnë dhomat e hotelit me grindjet e tyre të panumërta, por edhe me fundin e tyre tragjikvdekja e tyre do të jetë historia e fundit e madhe që kalon kufijtë e hotelit dhe hyn në mit.
Sot qiraxhinjtë me të drejtë kërkojnë pjesën që besojnë se u takon. Si edhe paraardhësit e tyre janë ende të panjohur. Peripecitë, pasionet dhe vdekjet e tyre thjesht regjistrohen në kronikën e zezë dhe regjistrat e policisë. Megjithatë, të gjitha këto ngjarje të përditshme, pas disa vitesh mundet të bëhen pjesë e pandashme e një miti, pasi Chelsea Hotel është një vend mitik. Në fund të fundit nuk gjen edhe shumë hotele, që me njëqind dollarë në ditë të sigurojnë një vend pranë fantazmave të tua...
Ardi Stefa

Δεν υπάρχουν σχόλια: