Πέμπτη 6 Δεκεμβρίου 2007

Legjenda e Qytetit tim


Legjenda e Qytetit tim
Ardi Stefa
“Nuk ke shkruar gjë këtu e shumë kohë për Qytetin tonë të bukur, Vlorën. Ndoshta duhet të shkruash, për Qytetin në të cilin u rritëm, u burrëruam e që na ndjek pas edhe këtu në emigracion...”
Kaq fjalë shkruante në e-mailin që më dërgonte miku im Ladi. Kishte të drejtë. Kam shkruar pak ose aspak, megjithëse e dua Qytetin tim aq shumë. Rreshtat e mëposhtëm i shkruajta fillimisht ne mendje e pastaj në kompjuter duke shkuar për në punë, me Autobusin e orës 05.00

“Askush nuk dinte ta thoshte me saktësi se kur fillonte legjenda e Qytetit tonë bregdetar.
Atëhere, kur siç thoshte njëra nga dy legjendat, një grup marinarësh zbritën në brigjet e qytetit të mëvonshëm, të tërhequr nga pjelloria dhe bukuria e bregdetit, kryelartë e krenarë dhe me mendjen plot plane madhështore dhe kishin shtyrë drejt maleve përreth disa familje që kishin gjetur më parë. Si thotë legjenda, ata ishin duke lundruar natën në det, kur kishin parë një dritë që i ftonte të afroheshin. Ishin afruar, kishin zbritur nga anija dhe ishin nisur në drejtim të dritës, por nuk kishin gjetur asgjë që të ndriçonte aq shumë. Kur u kishin hipur përsëri anijeve për t’u larguar, drita ishte shfaqur përsëri, kësaj here më këmbëngulëse. Atëhere ata vendosën që të qëndronin në vendin që u ndriçonte rrugën dhe pranë dritës që i kishte ftuar. Legjenda thotë se ato anije, që nuk zbarkuan në tokë, u përplasën në një gadishull të errët dhe të frikshëm dhe u bënë copë e thërrime. Ata që arritën në breg, ndërtuan një tempull në vendin ku ishte shfaqur drita, e cila nuk u shfaq më asjëherë në shekujt që pasuan për të ftuar detarë të tjerë. Sot tempulli nuk ekziston më. U zhduk me kalimin e viteve, u mbulua nga pluhuri dhe rëra e kohës, por nuk u harrua.
Detarët që zbritën në breg me kuç e me maç, filluan të organizonin jetën me shumë kujdes, ndërtuan shtëpi e rrugë të shtruara, lulishte dhe shatërvanë, martuan vajzat e tyre në dasma luksoze, shëtisnin nëpër rrugët e mbjella me akacie dhe palma, u bënë njerëz me shije shumë të holla, por pa e harruar asnjë çast prejardhjen e tyre detare e të ashpër, e cila i shoqëroi gjatë gjithë shekujve, si karakteristikë gjenetike.
Legjenda e dytë thotë se banorët e Qytetit kishin ardhur nga malet përreth të tërhequr nga deti dhe pasuria e tokave. Këta, sipas legjendës, kishin ndërtuar, në rrëzë të maleve kështjellën, e cila do t’i mbronte nga të huajt, që do të vinin nga deti, por edhe për të mos u larguar krejtësisht nga origjina e tyre malore.
Askush nuk di se cila prej legjendave që thuhet për krijimin e Qytetit, mundet të jetë e saktë.
Ndoshta prandaj edhe banorët e tij edhe sot e kësaj dite janë të dyzuar, adhurojnë detin, por nuk bëjnë dot edhe pa malin. Kanë marrë prej të dyjave, edhe detit, edhe maleve: ashpërsinë dhe egërsinë, krenarinë e kryelartësinë, sikundër edhe butësinë dhe zemërgjerësinë...
Por një gjë është e sigurtë. Cilado prej legjendave që të jetë e vërtetë, një gjë nuk ishte vënë kurrë në dyshim: dashuria dhe krenaria e madhe e banorëve për Qytetin.
Bile, dashuria e banorëve për Qytetin kishte marrë trajtat e një legjende. Sipas kësaj legjende, kishte dy lloje banorësh të Qytetit, me dashuri të njëjtë, por që pas vdekjes metamorfozoheshin krejt ndryshe.
Ata që linin Qytetin dhe jetonin në qytete në huaja, pas vdekjes shndërroheshin në re, ngaqë ndienin nevojën të ktheheshin, ta shihnin Qytetin, e të qanin nga malli i pashuar për të.
Ata që jetonin e vdisnin në Qytet, shndërroheshin në gurë e shkëmbinj, për t’u bërë pjesë e pandarë e tij.
Prandaj banorët e Qytetit, instiktivisht brenda vetes ndienin se bartnin gurët e retë dhe i hidhnin sytë sa nga qielli në tokë, e sa nga toka në qiell. Dhe krenoheshin me retë e gurët e shkëmbinjtë e shumtë të qytetit.
Derisa dëgjonin për herë të parë për tradhtinë. Dhe aty tronditeshin. Po tradhtarët që nuk ishin të paktë, në çfarë shndërroheshin? Në çfarë shndërroheshin tradhtarët, ata që ishin bërë dashnorja e bashkëudhëtarja e përjetshme e dashurisë prej guri e reje të banorëve të Qytetit?...
Në çfarë shndërroheshin? Përse legjenda nuk e thoshte? Derisa banorët e Qytetit, një ditë prej ditësh e zbulonin vetë se në çfarë shndërroheshin tradhtarët. Zakonisht zbulimin e bënin në ditët që binte shi prej reve e gurët laheshin prej atyre lotëve, ndërsa këmbët (plluuuq- shllaaap) me zor shqiteshin nga balta...
Ndoshta ata shndërroheshin në baltë. Po, po. Në baltë. Prandaj Qyteti im kishte aq shumë baltë, gurë edhe re...”

4 σχόλια:

Ανώνυμος είπε...

Interesante te dyja legjendat!
Ju si qytetar i ketij qyteti, jeni reja, shkembi apo balta?

Ανώνυμος είπε...

Interesante te dyja legjendat!
Per sa u perket guve si qytetar i Vlores, jeni reja, shkembi apo balta?

ardi stefa είπε...

Studente!
Faleminderit qe komunikove dhe vizitove Blogun tim!
Persa i perket pyetjes tende se cfare jam, ne rast se je ne Greqi duhet ta dish, ose te pakten qe ta marresh me mend se nuk jam "balta" per qytetin tim. Jam shkembi dhe reja. Shkembi se do te jem gjithmone atje, dhe reja, sepse gjithmone do te shkoj prane qytetit tim qofte edhe me mendje e shpirt, ne rast se nuk do te jem fizikisht.
Pershendetje.
p.s: Emer ke?...

Ανώνυμος είπε...

Jam ne Greqi...
Por kjo nuk do te thote se te gjithe emigrantet e kane te qarte prejardhjen e tyre. Perkundrazi, ata "verbohen" nga shkelqimi i Greqise dhe "harrojne" thesarin e Shqiperise.
Gjithsesi, pyetja ime lindi nderkohe qe po lexoja shkrimin tuaj dhe keshtu nuk ngurova te pyesja.
Natyrisht qe kam emer,
Brunilda...

Gjithe te mirat dhe uroj te keni sukses ne ate cfare keni nisur.

Studentja