Δευτέρα, 24 Δεκεμβρίου 2007

Sa afër (larg) Europës jemi?

Sa afër (larg) Europës jemi?
Nga ARDI STEFA
Se sa larg Evropës jemi e thotë fare mirë edhe anekdoda: “Në fund të vitit 1999, kur të gjithë prisnin përmbysjen e botës, një polic shqiptar shikon që në breg të detit një skaf që hedh disa njerëz. Afrohet, u merr pasaportat dhe i çuditur sheh se të gjithë janë qytetarë të BE, suedezë, francezë, anglezë, italianë, etj. I pyet ç’ishin dhe shtanget kur merr përgigjen e prerë e të gëzuar: Refugjatë. Erdhëm në Shqipëri për të shpëtuar, i thonë policit, sepse ju nuk rrezikoheni nga përmbysja e botës. Jeni dyqind vjet mbrapa e pesëdhjetë vjet anash!...

Tashmë që viti 2007 është duke na lënë shëndenë, viti 2008 është në prag të hyrjes dhe Euroja është monedha me të cilën europianët në një farë mënyre tregojnë se bashkimi është realitet, një pyetje na vërtitet të gjithëve në kokë: Sa larg Evropës jemi?
Për disa jemi më pranë se kurrë integrimit edhe në BE, por edhe në NATO.
Por sa afër jemi?
Parrulla më e dëgjuar në vitet e zjarrta ’90 ishte: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!” Ishte mallëngjyese dhe shpresëdhënëse kur dëgjoje turmat të thërrisnin në kor këtë parrullë, e cila shprehte dëshirën e përflakur për një Shqipëri me të vërtetë demokratike, të lirë e të zhvilluar. Ato vite të gjithë kishin besimin e patundur se më së fundi për Shqipërinë ishte hapur bota e qytetëruar dhe e zhvilluar europiane, kishin besim tek e ardhmja e tyre europiane. Sot pas rreth shtatëmbëdhjetë vjetësh kjo parrullë nuk dëgjohet më, në vend të saj të gjithë pyesim veten: “Sa larg Evropës jemi?”.
Pyetja nuk ka të bëjë vetëm se sa larg jemi nga ana ekonomike, politike, kulturore e sociale, por edhe se sa larg jemi realisht nga ana e mentalitetit dhe dëshirës për të qenë në Evropë. Sinqerisht kam bindjen se ne shqiptarët nuk kemi dëshirë për të qenë afër Evropës dhe aq më pak për të qenë në Evropë. Dhe as nuk bëjmë përpjekjen më të vogël për t’u integruar me Evropën. Ndoshta bëjmë ç’është e mundur për t’ju larguar sa më shumë asaj.
Që të hysh në Evropë në radhë të parë duhet dëshira. Dhe dëshira sot mungon. Nuk mungon tek qytetarët e njerëzit e thjeshtë, por tek politikanët tanë të të gjitha ngjyrave. Një Shqipëri Europiane për qytetarët e thjeshtë është ëndrra më e madhe. Sepse i integruar atdheu do të jetë me të vërtetë atdhe, ekonomia ekonomi, drejtësia do të jetë me të vërtetë drejtësi, demokracia do të jetë reale në të gjitha parametrat e saj. Qytetarët do të ndiejnë veten me të vërtetë qytetarë të lirë e dinjitozë. Dëshira për të hyrë në Evropë mungon tek politikanët e qeveritarët tanë. Sepse një hyrje e Shqipërisë në Evropë nënkupton një shtet të së drejtës, një shtet ku luftohet korrupsioni dhe vjedhja, ku drejtësia është e pavarur dhe qytetarët janë të lirë e gëzojnë të gjitha të drejtat e liritë e tyre. Një Shqipëri e integruar u pret pasurimin e menjëhershëm e të përbindshëm të politikanëve dhe qeveritarëve në rrugë jo të drejta e të ndershme. Një Shqipëri e integruar nënkupton një qeveri që ta gdhijë ditë e natë pranë popullit, për t’i siguruar mjetet më elementare që të garanton një shtet i vërtetë demokratik. Një Shqipëri e integruar mund të jetë e tillë vetëm kur kasta politike e Nanos, Berishës, Gjinushit apo të tjerëve të jetë qërruar njëherë e përgjithmonë nga skena politike. Një Shqipëri e integruar është vetëm atëherë kur të kemi një shtet me të vërtetë demokratik e tolerant, një shtet që kujdeset për qytetarët e vet kudo që janë, që siguron sistemin e rrogave dhe të pensioneve, arsimin dhe mjekimin falas, një shtet që përpiqet të zbusë pabarazitë sociale. Një Shqipëri europiane për qeveritarët nënkupton që këta të fundit të vjedhin më pak, të jenë më pak të korruptuar, më shumë të përgjegjshëm e më tepër qytetarë. Një Shqipëri europiane nënkupton një shtet ku të gjithë të jenë të barabartë ndaj ligjit, si ata që i bëjnë ligjet edhe ata që janë të detyruar t’i zbatojnë. Integrimi nënkupton shtetin e së drejtës në të gjitha drejtimet, politike, sociale, ekonomike dhe kryesorja, nënkupton kryerjen sa më shpejt të një revolucioni me të vërtetë social, të një revolucioni që do ta çojë vendin përpara e do ta zhvillojë e përparojë. Duhet më së fundi që edhe në Shqipëri dikush të përkujdeset për kulturën e emancipimin politik e qytetar. Por kur kanë qenë ndonjëherë të emancipuar politikanët e qeveritarët tanë që të emancipojnë edhe popullin e të jenë promotorë të ndryshimeve sociale aq të nevojshme? Politikanëve tanë më për shtat do t’u shkonte shprehja: “Ta bëjmë Evropën si Shqipëria!”.
Një Shqipëri europiane, një Shqipëri e integruar duhet të jetë e stabilizuar. Shqipëria duhet të jetë e stabilizuar politikisht, institucionalisht, konstitucionalisht e moralisht. Shqipëria duhet të jetë psikologjikisht e stabilizuar, shqiptarët duhet të ketë besimin e shpresën tek shteti. Shqipëria duhet të ketë stabilizim politik, por si mund të ketë stabilizim politik, kur as për çështjet kombëtare politikanët nuk bashkohen, jo më për të tjera gjëra. Si mund të ketë stabilizim politik, kur aleancat janë thjesht për kolltuqe? Shqipëria duhet të ketë stabilizimin ekonomik, por si mund të ketë stabilizim ekonomik kur nuk ka drita, bukë e ujë, inflacion e emigracion masiv? Dhe kur nuk plotëson këto kushte, si mund të kërkosh të hysh në Evropë. Boll pamë ëndrra me sy hapur: Shqipëria ka qenë e është më larg se sa kurrë nga Evropa Perëndimore dhe e zhvilluar! Asnjëherë nuk ka qenë pranë saj e as ka për të qenë ndonjëherë me klasën politike shqiptare aktuale. Dhe shqiptarët duhet të fillojnë të recitojnë në një gojë NOLIN: Pranë Dritës i paparë,/ pranë detit i palarë, pranë sofrës i pangrënë,...
Dhe dëshiroj që t’i rikthehem edhe një herë pyetjes së fillimit: “Sa larg Evropës jemi?”

1 σχόλιο:

Ανώνυμος είπε...

fakti eshte qe jemi shume larg europes